Rusia po bën ‘lojëra urie’ me botën duke bllokuar eksportimin e drithërave të Ukrainës

Një ambasadore ukrainase tha se Rusia po bën “lojëra urie” me botën duke u përpjekur të përshkruajë sanksionet kundër Moskës si arsyen që drithërat nuk mund të kalojnë tranzit në Detin e Zi.

Sipas Euronews, Yevheniia Filipenko, e dërguara e Ukrainës në zyrën e OKB-së në Gjenevë, ka dhënë një intervistë për shënimin e 100 ditëve që kur forcat ushtarake ruse filluan agresionin mbi Ukrainë më 24 shkurt.

Ndërsa eksportet e drithërave ndalohen përmes porteve të sulmuara ose të “kapura” të Ukrainës, Filipenko tha se Rusia ka kërkuar të hedhë fajin për bllokimin te Ukraina dhe sanksionet perëndimore që janë vendosur kundër Moskës.

“Rusia po bën lojëra urie kohët e fundit duke fajësuar Ukrainën dhe të tjerët për bllokimin e eksporteve të ushqimit ukrainas”, tha ajo.

Filipenko theksoi se forcat ukrainase ishin shumë të motivuara për të mbrojtur atdheun e tyre dhe një ditë do ta fitonin luftën.

Ajo i bëri jehonë thirrjeve nga zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas për më shumë armë.

“Ne po luftojmë për lirinë e Evropës dhe të gjithë botës. Pra, 100 ditët e ardhshme do të jenë shumë të ngarkuara për të gjithë ne”, ka thënë ndër tjerash ajo.

Ndryshe, në Kiev, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shënuar ditën e 100-të të luftës me Rusinë, përmes një mesazhi me video.

Në të, lideri i kohës së luftës është i rrethuar nga disa nga aleatët e tij më të afërt – përfshirë kryeministrin e Ukrainës.

“Forcat e armatosura të Ukrainës janë gjithashtu këtu… njerëzit e kombit tonë janë këtu. Ne po mbrojmë Ukrainën për 100 ditë tashmë. Fitorja do të jetë e jona. Lavdi Ukrainës!”, ka thënë presidenti Zelensky.

Aty, Zelensky dhe ekipi i tij qëndronin përpara zyrës presidenciale të Ukrainës, në qendër të kryeqytetit. 

Go to TOP