Rusia mban ushtrime të reja ushtarake para bisedimeve të Parisit

Rusia mbajti ushtrime ushtarake të mërkurën dhe dërgoi më shumë forca dhe aeroplanë luftarakë në Bjellorusi për ushtrimet e muajit të ardhshëm përderisa zyrtarët po përgatiten për bisedimet katërpalëshe në Paris për konfliktin në lindje të Ukrainës.

I dërguari i Kremlinit pritet të takohet me zyrtarë nga Franca, Gjermania dhe Ukraina për ato që njihen si bisedime të formatit të Normandisë në Paris, ndërsa në prapavijë është grumbullimi i trupave ruse afër Ukrainës, që ka shkaktuar frikë për pushtim të mundshëm.

Bisedimet e Normandisë për t’i dhënë fund luftës në lindje të Ukrainës mes forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia për disa vjet janë zhvilluar pa progres, por takimi i së mërkurës mund të shihet si sinjal pozitiv për zhvillimin e diplomacisë, pavarësisht tensioneve të larta.

Agjencia Interfax e citoi Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë të ketë thënë se të mërkurën dërgoi një njësi paraushtarakësh në Bjellorusi, një ditë para dërgimit të forcave me artileri dhe marinsat para ushtrimeve të përbashkëta të muajit të ardhshëm. U raportua se Rusia gjithashtu do të dërgojë aeroplanë luftarakë të tipit Su-35 në Bjellorusi për ushtrime.

Grumbullimi i forcave ruse në Bjellorusi, në veri të Ukrainës, krijon një front të ri për sulm të mundshëm, shkruan Reuters.

Ndarazi, forcat ruse të artilerisë në rajonin jugor, Rostov, që kufizohet me Ukrainën, pritet të ushtrojnë me të shtëna më vonë të mërkurën si pjesë e inspektimit të gatishmërisë për luftime të Distriktit Jugor Ushtara, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Në veriun e largët, luftanijet ruse hynë në Detin Barent për të ushtruar për mbrojtjen e një rruge të rëndësishme ujore në Arktik, tha Flota Veriore e Rusisë.

Go to TOP