Rusët e vazhdojnë votimin në zgjedhjet presidenciale

Rusët e kanë filluar të shtunën ditën e dytë të votimit në zgjedhjet presidenciale, gjatë të cilave ka pasur protesta sporadike nga disa qytetarë, të cilët shfaqën zemërimin e tyre me procesin e përgatitur për t’ia dhuruar presidentit Vladimir Putin edhe një mandat tjetër gjashtëvjeçar në pushtet.

Më shumë se një e treta e 110 milionë qytetarëve rusë me të drejtë vote, votuan të premten fizikisht dhe online në ditën e parë të zgjedhjeve treditore në Rusi, tha Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë (KQZR), pas mbylljes së qendrave të votimit në rajonin perëndimor të vendit, Kaliningard.

Votimi rifilloi të shtunën në Lindjen e Largët të Rusisë, dhe do të vazhdojë në të gjitha 11 zonat kohore të vendit, si dhe në katër rajone të Ukrainës që Moska i aneksoi jashtëligjshëm gjatë pushtimit të vendit fqinj, i cili nisi në shkurt 2022.

Disa qytetarë rusë e kanë shprehur zemërimin e tyre me sundimin autoritar të Putinit në ditën e parë të zgjedhjeve, duke i vandalizuar kutitë e votimit.

Është raportuar edhe për të arrestuar po ashtu gjatë të premtes.

Fitorja e Putinit në këto zgjedhje është pothuajse e sigurt, dhe ai do ta zgjasë mandatin e tij për edhe gjashtë vjet të tjera.

Meqë kundërshtarët e Putinit janë në burg, në mërgim apo të vdekur, rezultati i zgjedhjeve dihet tanimë.

Lufta e pamëshirshme që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Gati një muaj para zgjedhjeve, kritiku më i zëshëm i Putinit, Alexei Navalny, vdiq në një burg të izoluar në Arktik në rrethana shumë të dyshimta, pasi po vuante dënime me burgim të cilat cilësoheshin si të motivuara politikisht.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme.

Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars.

Go to TOP