Rugova i paprekshëm, sipas intelektualëve, politikës dhe kulturës!

Shkruan: Idriz MORINA

Është natë dhe shumë njerëz kanë filluar ëndërrimet, kryesisht të atyre ideve dhe mendimeve që nuk i kontrollojmë dot, dhe vijnë padashtas mbase, tek ne.

Ka dhe shumë të tjerë, që s’duan ta shohin tokën e errësuar, dhe aq më pak këtë natë sterrë të zezë.

Janë ata njerëz në këtë mes me të cilët provuam të tregohemi solidar si vëllai me vëllain, motra me motrën, … nëna me të bijtë e saj… është tragjedia e Durrësit, Thumanës…, që të kthejnë tek tragjeditë e shkaktuara nga shtetet si Serbiam, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria, jugosllavitë e besa edhe Maqedonia e vogël,… por edhe pushtetet totalitare dhe antishqiptare si ai i Hoxhës,.. ndërsa ka dhe përplot dhembje të mëdha shqiptare, shumë prej të cilave nuk do t’i njohim kurrë dhe s’do t’i marrim vesh se ekzistonin.

Ndërkohë, Fb shqip, ka filluar të prehet me imazhet e Presidentit Rugova nga adhurues të tij, mbështetës të dikurshëm dhe të sotëm të filozofisë së tij, ndërsa disa të tjerë nuk e lënë të qetë as sot kujtimin e mrekulluar me të, të të gjithë atyre njerëzve që e deshën atë deri në adhurim…

Për shumëkë ishte intelektual i rrallë, për disa të tjerë ikonë shqiptare, për të tjerë një dishepull rilindës, themelues i shtetit, patriark… deri tek ata që nuk ngurrojnë që me adhurimin e tyre ta shenjtërojnë.

Pa folur shumë për këndvështrimin intelektual, filozofik e politik, dua të shquajë ato, që dallova tek Rugova, gjatë kohës që unë isha reporter për Presidencën e tij, dhe kohën para se ai të zgjidhej në këtë post, nga viti 1999/2000 e deri gati në amshimin e tij me pak ndërprerje gjatë vitit 2004/2005, gjatë së cilës kohë pata rastin si rrallë ndonjë gazetar, të botoja edhe katër intervista me të, në media të shtypura (një rast tjetër i humbur për shkaqe rastësore).

Rugova ishte një njeri, që mbi të gjitha e kishte njerëzoren në shpirt, ky besim i thellë i tij, i dha kuptim dashurisë së tij për atdheun, për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve. Ishte superegoja e tij, që e bënte të veçantë edhe nga intelektualët dhe politikanët e tjerë, pra mbivënia e interesit të përgjithshëm mbi atë personal!

Ky piktakim i humanizmit me mbivënien e interesit të përgjithshëm shqiptarë në qendër, dhe me lidershipin e tij, e bënin të besueshëm dhe të paepshëm përballë të gjithëve, kundërshtarëve politik, armiqve, perëndimit skeptik dhe para popullit.

I vendosur dhe i gatshëm për të paguar çfarëdo çmimi, që mund t’i kërkohej nga ai, nuk ekzistonte shansi për kompromis për arritjen e pavarësisë; pas luftës pavarësia faktike është arrit thoshte kumbueshëm çdo herë – mungon vetëm njohja formale; prekshmëria e territorit nuk ekzistonte; identiteti shqiptar ishte i paprekshëm, kosovar ishte nocion për shtetasin, jo për kombin; Kundër decentralizimit para statusit – njohjes ndërkombëtare të shtetit; Kundër trashëgimisë kulturore që favorizonte interesat serbe, dhe që mohonte trashëgiminë kristiane të shqiptarëve dhe të monumenteve fetare.

Nxitës dhe promovues i jashtëzakonshëm i vlerave të trashëgimisë arkeologjike, veçanërisht të asaj si thuhet parahistorike, që argumenton trashëgiminë tonë autoktone (si shihet në njërën foto, gjatë vizitës së gjetjeve arkeologjike në Bardhosh të Prishtinës, ku qenë gjetur artefakte që argumentonin trashëgiminë tonë të hershme, sipas mendimit tim mbi 7 mijë vjeçare, një tjetër gjetje e hyjneshës në fron, që shkon deri në 9 mijë e më shumë vjet lashtësi kulturore).

Për veriun: Thoshte se ishte i Kosovës, dhe se gjendja atje ishte momentale, dhe se për këtë ishte garantuese prania ndërkombëtare dhe në një të ardhme të afërt, gjërat do biejnë në vend!

Për shqiptarët jashtë Kosovës: Pavarësia e Kosovës është kompromisi i dhimbshëm, sepse përndryshe pa këtë kompromis çështja shqiptare në Jugosllavi do të shtrohej së bashku me Kosovën Lindore, Maqedoninë, Malin e Zi!

Këtë ia thoshte edhe përfaqësuesve amerikanë, që kërkonin kompromise të dhimbshme në bisedimet e nisura në Vjenë, që do të rezultonin me pakon Ahtisari.

– Prandaj, edhe unë mbeta një kritikues sistematik i kompromiseve që ofronte dhe bëri politika e Kosovës në Vjenë.

-Gjithsesi me Rugovën nuk do të kishte dhe do të ishin të pamundura bisedimet në Bruksel, edhe në Ohër, aq më tepër bërja e kompromiseve të reja ndaj Serbisë dhe në dëm të shtetit të Kosovës (2013 e 2023)!

-Prandaj edhe më i pakompromis isha dhe jam kundër kompromiseve të reja në dëm të identitetit shtetëror, pasi tashmë Pakoja e Ahtisarit ishte bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa, këta që përkrahën Asociacionin dhe kompromiset tjera në dobi të zhbërjes së shtetit, dhe të fundit me Ankeksin e Ohrit, me avancimin në vetqeverisje autonome për serbët, paraqiten edhe si kosovocentrist.

Kosovocentrist dhe zhdukës të Kosovës, apo federalizim të saj, nuk mund të ketë! Madje ka edhe disa që kësaj mundohen t’i japin kuptim duke keqkuptuar apo keqinterpretuar Rugovën, qoftë rastësisht apo për propagandë!

Për bashkimin kombëtar thoshte (parafrazim): Integrimi po fillon me lëvizjen e lirë (të cilën nuk e kishim dhe as që mund ta paramendonim vajtje-ardhjen e lirshme), kulturën, arsimin, ekonominë, martesat … kufiri dhe dallimet e vogla (që kryesisht vijnë për shkak të sistemit komunist atje, dhe zhvillimit për një kohë të ndarë), ndasitë tjera me kohë do të shuhen, kemi një gjuhë, një traditë, një trashëgimi…

Identiteti shtetëror e kulturor mbi 3 mijë vjeçar

Identiteti kulturor dhe shtetëror dardan-shqiptarë shtrihej nga ekzistenca e shtetit të parë dardan para më shumë se 32 shekujve – pjesëmarrës vendimtar në luftën (luftërat) e Trojës!

– Popull biblik apo sipas librave edhemë të vjetër, të shenjtë!

Kjo ishte ‘apotheoza’, që serbët dhe as miqtë e serbëve nuk e thyenin dot! Ky identitet politik e kulturor i yni, shërbente si amza e strukturimit të të gjitha ideve të tij, rreth të cilave ndërtohej edhe imazhi perëndimor i shqiptarëve, me simbolikën e trashëgimisë të Konstandinit të madh, Justinianit… Skënderbeut dhe Nënë Terezës!

Një shqiptaro-censtrist iliro-dardan

Rugova mbi të gjitha ishte, mund të themi me plotëkuptimin e fjalës një shqiptaro-censtrist (iliro-dardan), që në fund të fundit gjithmonë e artikulonte, me kompromisin e dhimbshëm sintagmatik: “Bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë, (nëse në asnjë mënyrë tjetër) në Europën e Bashkuar”!

Të gjithë ata që flasin ndryshe, argumentojnë jashtë dëshmive të tij, jashtë dëshmisë sime, për të cilën i sfidojë kushdo qofshin ata interpret!

Njohja dhe respekti për Rugovën, kishte marrë aq kuptim, sa sipas dëshmisë së gazetarëve, rojet e sigurimit amerikan, u kishin thënë atyre: Ju pasni një engjëll, dhe jo një politikan. Kjo pasi ai ishte aq njerëzor, sa edhe rojeve të sigurimit amerikan në vizitat në SHBA, gjatë darkave ju thoshte ‘uluni pushoni, nuk keni pse mundoheni’ (fjalë të Rugovës, të kujtuara këtu me parafrazim).

Ashtu siç nuk u përplas me asnjë kundërshtarë politikë shqiptarë në Kosovë apo në Shqipëri, refuzoi ta bënte një gjë të tillë deri në fund (duke besuar në njerëzoren-mbinjerëzoren, njeriun që përngjason apo korrespondon me hyjin)!

PS: Unë isha aty përherë, për të raportuar edhe 5 herë në ditë, i vetmi gazetar që brenda një dite të vetme ngjitesha Velanisë në mbi 90 % të rasteve në këmbë!

Unë isha nga të paktët dhe ndoshta ndër të vetmit reporter, që zbardhja incizimet me saktësi fanatike, aq shpesh dhe kurdoqoftë thënë, me sintagmat e tij.

Ps. Ky shkrim është shkruar e botuar më 2019, por i korrigjuar në kontekst të bisedimeve që kanë ndodhur ndërkohë në Bruksel e Ohër, meqë shkrimi ishte bërë disa vite para se Albin Kurti të vinte në krye të Qeverisë, dhe t’i jepte goditjen fatale Kosovës, duke lartësuar interesat e serbëve me Marrëveshjen e Ohrit!

Go to TOP