Rruga e bllokuar nga rrëshqitjet, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente
Reshjet e shiut shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore në Komunën e Prizrenit. Një urë në Zojz ka dalë jashtë funksionit, ndërsa rruga Reqan–Lubinjë e Poshtme është vështirësuar për qarkullim, pasi rrëshqitja e dheut disa herë ka shkaktuar pengesa.
Hedhja e mbeturinave në skaj të rrugës së Lubinjës së Epërme bllokoi përroskën dhe shkaktoi rrëshqitje të madhe të dheut dhe gurëve, duke e bllokuar për disa ditë rresht qasjen e banorëve të Lubinjës së Poshtme me Reqanin dhe me rrugë të tjera nacionale. Banorët ankohen se kanë frikë të kalojnë në këtë rrugë, pasi fshati nuk ka qasje tjetër.
“Gjendje shumë e keqe e rrugës, nuk ka rrugë tjetër. Ne nuk kemi çfarë të bëjmë, presim nga komuna që të intervenojë. Dje tërë ditën ka qenë e bllokuar, plus këtu të gjithë janë në moshë”, tha Ramqe Kurtishi – banor.
“Shihni, këtu është një përrua, pra ka ujë. Ndërsa në Lubinjën e Epërme po hedhin mbeturina, gjithçka tjetër. Kjo kështu është që disa vite, aty ka me tonelata mbeturina dhe ato çdo herë e më shumë e rëndojnë tokën, dhe kur ka reshje, rrëshqasin”, tha Xhumret Mislimi – banor.
“Këtu duhet një investim, duhet të punojnë dhe të hapin një tjetër rrugë për çdo rast, në mënyrë që të intervenohet për këta njerëz këtu. Kjo gjendje nuk është mirë”, tha Muhamed Rama – banor.
Drejtoresha për Emergjenca dhe Siguri, Ramize Sinanaj-Shala, tha se shtabi emergjent ka dalë në terren së bashku me ekspertë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, si dhe përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke dalë me disa rekomandime.
“Tani kemi marrë rekomandime që të pastrohet ajo përrockë, të vendosen masa mbrojtëse në rrugë, në mënyrë që qytetarët të mos hedhin mbeturina. Nuk ka rrugë tjetër alternative; sipas informacioneve që kam marrë nga banorët, ekziston mundësia, mirëpo sot ne kemi angazhuar kompanitë sipas rekomandimeve të ekspertëve. Aktualisht janë duke punuar”, tha Ramize Sinanaj-Shala – drejtoreshë për Shërbim dhe Emergjenca.
Si pasojë e reshjeve, përveç kësaj rruge, në zonat rurale ka dalë jashtë funksioni edhe Ura e Zojzit, ndërsa dëme serioze ka pësuar edhe ura e Medvecit.
