Rrjet i trafikut të drogës zbulohet në Prishtinë – sekuestrohen armë, para dhe gati 5 kg narkotikë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar sot se pas një hetimi të thelluar me masa të veçanta hetimore, në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe njësitet përkatëse, ka arritur të identifikojë dhe të godasë një rrjet të personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, tre persona janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuar për kryerjen e veprave penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të sanksionuara në nenin 267 dhe nenin 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë operacionit janë sekuestruar substanca narkotike me peshë të përgjithshme prej 4 kg e 945.27 gram, tre telefona, dy vetura, dy pistoleta, 64 fishekë dhe rreth katër mijë euro para të gatshme.

Prokuroria njofton se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë në koordinim të ngushtë me organet përkatëse për të zbardhur tërësisht rrjetin kriminal.

Në vijim priten masa të tjera për identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe shtrirjes së veprimtarisë së grupit. /Kosova.info/


Go to TOP