Rritja e deficitit tregtar shihet me shqetësim nga ekonomistët, kërkojnë veprime institucionale

Shkalla e lartë e importit dhe prodhimi i vogël vendës po shihet me shqetësim nga ekonomistët kosovarë. Ata i fajësojnë institucionet e Kosovës se nuk kanë strategji për zhvillim të prodhimtarisë vendëse, që do të përmirësonte edhe bilancin tregtar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë për Ekonomia Online se rënia e eksportit do duhej t’i alarmonte institucionet, andaj ka kërkuar veprime në mënyrë që të mos rritet edhe më shumë deficiti tregtar.

“Fatkeqësisht po qëndron kjo, këto dy vitet e fundit kemi një rënie të eksporteve dhe kjo ish dashtë me qenë një alarm shumë i madh për Qeverinë, për të parë çfarë ka ndodhur dhe pse është duke ndodhur. Ku është ajo sfida që ka rënie të eksportit. Rënia e eksportit nënkupton edhe rënie të prodhimit përbrenda, për këtë arsye Qeveria duhet me urgjencë me identifikuar ku është problemi dhe më u marr me problemin që mos të lejoj që të rritet edhe më shumë deficit tregtar. Raporti mes importit dhe eksporti mbulohet vetëm me 14 për qind, do të thotë vetëm 14 për qind e mbulojnë me eksport importin. Kurse importi është duke na u rritur edhe si sasi por edhe si vlerë”, ka thënë Rafuna, teksa shton se kjo strategji duket se do të mungojë edhe për shumë kohë.

“Zhvendosja e dy, tri bizneseve të mëdha që kanë eksportuar nga Kosova, zhvendosja e tyre prej një tregu në tregun tjetër kjo ka ndikuar. Dhe e dyta është edhe çështja e inflacionit që i ka prekur bizneset dhe këto janë ato dy më të mëdha. Duhet me pa se çka duhet që të intervenohet për me rregulluar situatën”, ka thënë tutje Rafuna.

E ekonomisti Besnik Avdiaj ka thënë se deficiti në Kosovë është përcjellë në favor të importit. Ai deklaroi se Qeveria duhet t’i fuqizojë bizneset vendore.

“Deficiti tregtar ka shënuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit, është normale marr parasysh edhe faktin që ne në masë të madhe importojmë produkte të konsumit nga jashtë vendit. Me rritjen e kostos së prodhimit edhe operacioneve të tjera në këtë linjë në zinxhirin e furnizimit është kuptueshme që të ketë një, ndoshta jo domosdoshmërisht një rritje të konsumit në vlerën reale të sasisë që po konsumohet por një rritje në vlerën nominale pra në kuptimin e të hyrave që ne i shpenzojmë në këto produktet të konsumit”, ka thënë Avdiaj.

Sipas tij, shteti duhet të punojë drejt fuqizimit të bizneseve vendore, ku thotë se bizneseve private duhet t’iu mundësohet të investojnë.

“Është vështirë fakti që kostoja e jetës edhe e të bërit biznes në Kosovë po rritet vazhdimisht, qoftë për shkak të kostove të përgjithshme që po rriten për shkak të çmimeve, për shkak të tregut të punës në kuptimin e fuqisë punëtore, për shkak të aftësive dhe shkathtësive të tjera që nevojiten për shërbime dhe pjesë të tjera operative të biznesit që janë shumë specifike. Normalisht edhe konkurrenca e bënë të vetën që deri diku edhe ju është pamundësuar në një farë forme ‘lojtareve të vegjël’ në ekonomi që të depërtojnë. Megjithatë duhet bërë shumë përmes mekanizmave që institucionet tona i ofrojnë që të mbështet prodhimi vendor edhe ofrimi i shërbimeve kryesisht me qëllim eksportin. Kjo nënkupton se para se gjithash duhet që të mbulohet edhe kërkesa vendore me këto prodhime dhe shërbime por edhe rritja e eksportit në mënyrë të ndjeshme do të siguronte të hyra të mjaftueshëm nga jashtë të cilat pastaj deri diku do ta mbulonin edhe shpenzimet tona në drejtim të konsumit jashtë”, u shpreh Avdiaj.

Go to TOP