Rritet në 42 numri i të vdekurve nga sulmi rus në Kiev 

Ekipet e shpëtimit vazhduan të martën të kërkojnë mes rrënojave për të mbijetuar dhe viktima të sulmit rus ndaj një spitali fëmijësh në Kiev dhe në pjesë të tjera të Ukrainës, ndërkohë që numri i të vdekurve arriti në të paktën 42, sipas zyrtarëve ukrainas.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shkroi në platformën X se 64 të lënduar ishin dërguar në spital në Kiev, krahas 28 të plagosurve në Kryvyi Rih dhe gjashtë në Dnipro, qytete në pjesën qendrore të Ukrainës.

Sulmi i të hënës ishte sulmi më i rëndë ndaj Kievit në katër muajt e fundit dhe njëri nga më të përgjakshmit që nga fillimi i luftës, duke goditur shtatë nga 10 distriktet e kryeqytetit. Sulmi ndaj spitalit të fëmijëve “Okhmatdyt”, që ndërpreu operacionet kirurgjikale të zemrës dhe i detyroi fëmijët me kancer të vazhdojnë trajtimin e tyre në oborrin e spitalit, u dënua nga bashkësia ndërkombëtare.

Rusia mohoi përgjegjësinë për sulmin ndaj spitalit, duke këmbëngulur se nuk sulmon objektet civile në Ukrainë, përkundër provave të shumta për të kundërtën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov përsëriti qëndrimin zyrtar të Rusisë të martën, duke iu referuar deklaratës së Ministrisë ruse të Mbrojtjes që fajësonte sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës për shkatërrimin e pjesshëm të spitalit.

Por zyrtarja e OKB-së Danielle Bell, që dokumenton shkeljen e të drejtave të njeriut në Ukrainë, i hodhi poshtë këto pohime. Ajo tha se në bazë të shqyrtimit të video regjistrimeve dhe hetimeve në vendin e ngjarjes, spitali “është goditur nga një sulm direkt dhe nuk është dëmtuar si pasojë e sistemit të mbrojtjes ajrore.”

Spitali duket se është goditur nga një raketë ruse Kh-101, tha zyrtarja Bell. Zyrtarët ukrainas thanë të njëjtën gjë.

“Ndërtesa ku kryheshin dializat për fëmijë të sëmurë nga veshkat është rrënuar plotësisht”, tha drejtori i përgjithshëm i spitalit, Volodymyr Zhovnir, duke llogaritur se dëmi i përgjithshëm është 2.5 milionë dollarë.

Sipas zyrtares Bell, sulmi në spital la dy të vdekur dhe 50 të plagosur, përfshirë shtatë fëmijë. Sipas saj, bilanci i të vrarëve do të ishte më i lartë sikur pacientët të mos ishin dërguar në strehimore pas aktivizimit të sirenave për sulmet ajrore.

Kirurgu i pediatrisë Oleh Holubchenko i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ai po operonte një foshnjë me defekte të lindura në fytyrë dhe se ai dhe ekipi i tij vendosën të vazhdojnë punën përkundër sirenave. “Nuk mund ta linim operacionin në mes,” tha ai.

Autoritetet po punojnë për të rikthyer furnizimin me energji elektrike dhe ujë ndërkohë që zyrtarët e Kievit shpallën të martën ditë zie.

Hetuesit pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë vizituan spitalin të martën për të mbledhur prova për aktakuza të mundshme për krime lufte, njoftoi gjykata. Spitalet, krahas infrastrukturës tjetër civile, mbrohen në bazë të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Papa Françesku shprehu të martën “pikëllimin e thellë” për sulmin ndaj spitalit dhe “tronditjen e thellë” për përshkallëzimin e dhunës.

Përgjatë vitit të fundit, sipas analistit ushtarak Alexander Kovalenko, Moska ka investuar në taktika për të shmangur mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Gjatë sulmit të së hënës, Rusia përdori një numër të madh raketash të llojeve të ndryshme, të cilat duke qëlluar në të njëjtën kohë vështirësuan kapjen e tyre nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, tha ai.

“Ata kanë eksperimentuar me lloje të ndryshme raketash që nga viti 2023 për të gjetur kombinimin e përsosur për të thyer algoritmet e mbrojtjes ajrore,” deklaroi eksperti Kovalenko.

Sulmi i Rusisë ndaj Kievit ndodhi në prag të takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Uashington, ku shtetet anëtare të aleancës pritet të zotohet për ndihmë të re ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.

Ndërkohë, Presidenti rus Putin priti për vizitë zyrtare në Moskë Kryeministrin e Indisë, Narendra Modi. Rëndësia e Indisë si partner tregtar i rëndësishëm është rritur që prej sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Vizita e udhëheqësit indian u kritikua nga Presidenti ukrainas Zelenskyy.

Go to TOP