Rriten përsëri çmimet e karburanteve në Shqipëri, nafta shkon 258 lekë [2.13 euro] për litër

Çmimet e karburanteve në Shqipëri do të rritën sërish ditën e sotme, duke arritur në rekorde maksimale historike.

Bordi i Transparencës ka vendosur që çmimi i naftës të rritet me 10 lekë, duke arritur në 258 lekë [2.12 euro]. Ky është sërish niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, duke kapur fillimin e marsit, kur nafta për pak ditë u tregtua me rreth 260 lekë [214 euro].

Benzina do të tregtohet me pakicë me 243 lekë [2 euro], nga 244 lekë [2.01 euro] që ishte më parë.

Sipas burimeve nga tregu, shtrenjtimi lidhet me rritjen në bursat ndërkombëtare, ku treguesi Platz për një ton naftë ka arritur në 1,350 dollarë dhe për benzinën në 1,400 dollarë, me rritje përkatësisht me 120 dhe 90 dollarë, për shkak të pasigurive të furnizimeve me energji, lidhur me luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.

Në ditët e para të marsit, nafta filloi të rritej me shpejtësi në tregun e brendshëm, duke bërë që qeveria të ndërhynte dhe të krijonte Bordin e Transparencës, që vendos periodikisht çmimet e shumicës dhe të pakicës.

Me gjithë ndërhyrjen e bordit, çmimi i naftës sot arriti sërish në nivelet maksimale historike.

Në krahasim me fundin e muajit shkurt, nafta në vend po tregtohet gati 40% më shtrenjtë, duke rënduar buxhetin e konsumatorëve, por dhe duke rritur ndjeshëm kostot e transportit të bizneseve, që po e reflektojnë në shtrenjtimin e produkteve që tregtojnë. 

Go to TOP