Rreth 20 ditë barrikada në veri të Kosovës

Në orët e vona të së martës edhe pikëkalimi kufitar në Merdarë është mbyllur për hyrje-dalje për shkak se serbët kanë ngritur barrikada rreth dy kilometra larg kufirit me Kosovën.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, përmes një komunikate, apeloi tek qytetarët që t’i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare, pasi një grup serbësh bllokuan rrugët në mbështetje të serbëve në Mitrovicën e Veriut.
“Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit”, thuhej në komunikatën e MPJ-së.

Në të njëjtën kohë me vendosjen e post-blloqeve tjera, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vizitoi kazermën ushtarake që ndodhet mes Kralevës dhe Rashkës, si dhe shfrytëzoi rastin të takohet me Listën Serbe – përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës.

Barrikada të ngjashme, me automjete të rënda, ekskavatorë, automjete private, të strukturave paralele serbe ishin vendosur edhe mëngjesin e së martës në Mitrovicën e Veriut.

Këto barrikada dallojnë nga 11 barrikadat tjera nëpër lokacione të ndryshme në veri sepse janë barrikadat e para të vendosura në zonën urbane.

Kështu, veç bllokadave parapake që stoponin arterie komunikacioni, këto të fundit vështirësojnë edhe qarkullimin normal të njerëzve në qytet.

Të hënën, një ditë para ngritjes së barrikadave në Mitrovicën e Veriut, Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, nuk është lejuar të futet në Kosovë me synimin që të realizonte një vizitë treditore.

MPJ-ja ia ndaloi hyrjen me arsyetimin se pjesëtarët e KOS-it, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri, të cilët janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje.

Më pas, prirja e Vuçiç’it për ta dramatizuar çdo situatë, bëri që të takohet me patriarkun Porfirije dy herë brenda 12 orëve, fillimisht gjatë natës midis të hënës dhe të martës, dhe sërish gjatë ditës së martë.

Afër vendkalimit kufitar në Jarinjë që vazhdon të jetë i mbyllur, gjashtë topa me rreze të gjatë të ushtrisë serbe u vendosën aty së bashku me një numër të madh të policisë ushtarake.

Ndërkaq, mbrëmjen e së dielës, një breshëri armësh u dëgjua në rrethinë të komunës së Zubin Potokut afër njërës nga barrikadat e vendosura nga serbët atje.

Banditët serbë kishin sulmuar kontigjentin letonez të KFOR-it derisa ishin duke kryer detyrat që derivojnë nga Rezoluta 1244.

Në anën tjetër, mbështetur në burime, mediat serbe të afërta me Vuçiç-in, raportuan se presidenti serb ka marrë një ultimatum nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia) për t’i larguar barrikadat.

Ndërkaq, Kosova vetë nuk po i largon barrikadat dhe këtë ia ka kërkuar KFOR-it. Deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap as KFOR-i, as askush, duke e lënë të ngrirë situatën në veri.

Barrikadat në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, thuhet se u ngritën për shkak të arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiç, njeriut që dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Por, ato u ngritën me urdhër të Vuçiç’it së bashku me kontraktorët në terren: Listën Serbe dhe kriminelin Milan Radoiçiç – urdhëruesi formal është partia e urdhëruesi faktik është Vuçiç.

Më 24 dhjetor, policët kosovarë të cilët kishin qenë të bllokuar për dy javë në Leposaviq, për shkak të barrikadave, u zhvendosën dhe u zëvendësuan me të tjerë.

Kujtojmë se më 17 dhjetor EULEX-i dërgoi furnizime thelbësore për forcat e rendit, duke përfshirë furnizime ushqimore, veshmbathje si dhe mjete higjienike.

Ndërkaq, KFOR-i në koordinim me Policinë e Kosovës kishte transportuar nëntë zyrtarë policorë nga Veriu i Mitrovicës për në Jug të saj.

Gjithashtu, kujtojmë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Serbia iu drejtua KFOR-it me një kërkesë për kthimin e personelit serb në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Përgjigja zyrtare nuk ka ardhur akoma, megjithëse këtë ide e shkelmoi Gabriel Escobar, emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.

Ndaj kësaj kërkese reaguan edhe zyrtarët gjermanë të cilët për këtë arsye e gjetën vetën përballë një breshërie ofendimesh nga zyrtarët më të lartë të Serbisë.

Në ngritjen e tensioneve në Kosovë, rol luajti edhe nënshkrimi i ardhshëm i një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshne për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja njihet si propozimi franko-gjerman i cili është ndryshuar disa herë, por thelbi ka mbetur i njëjtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të diskutojë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKShS), por jo si parakusht për dialog, por si pjesë e marrëveshjes përfundimtare.

Prandaj edhe Vuçiç ka deklaruar se më parë duhet të themelohet AKShS, pastaj të ulen e të bisedojnë kushtet për largimin e barrikadave.

Megjithatë, problemi është se deri më tani nuk është specifikuar se çfarë është AKShS – autonomi për serbët e veriut, apo një mekanizëm i pavarur i cili vendos për kujdesin shëndetësor, arsimin, çështjet sociale dhe disa aktivitete të tjera të ngjashme.

Vuçiç me barrikada po bën presion për themelimin e AKShS para njohjes eventuale joformale të Kosovës si shtet.

Në anën tjetër, Kurti ka thënë vazhdimisht se AKShS do të formohet pas njohjes së Kosovës nga Serbia.

Në fakt, konfliktet e para dhe gjarjet shqetësuese në veri të Kosovës erdhën si rezultat i mosmarrëveshjes për targa, pasuar me daljen e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Problemi për targat u zgjidh me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçakut në Bruksel.
Megjithatë, serbët nuk u kthyen më në vendet e tyre të punës. KFOR-i dhe EULEX-i morën përsipër monitorimin e situatës dhe garantimin e sigurisë.

Gjatë raportimit nga vendi i ngjarjes brenda 17 ditëve, 13 punëtorë të medias janë sulmuar në Veri, në mesin e tyre gazetarë/e, fotoreporterë, kameramanë e shoferë.

Situata e tensionuar pritet të zgjidhet me një takim në Bruksel, në mes të dy delegacioneve, të Kosovës dhe Serbisë.

Go to TOP