Rreth 150 seanca gjyqësore të shtyra vetëm sot në Prishtinë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës vetëm sot janë shtyer 150 seanca gjyqësore, si pasojë e vendimit të Qeverisë Kurti për uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët. Këto seanca janë shtyer vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke mos i përfshirë edhe katër degët e saj në Graçanicë, Podujevë, Lipjan dhe Drenas.

Këtë lajm e ka konfirmuar për Gazetën Express, Mirlinda Gashi -zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Referuar kerkesës tuaj për informacione,  ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë,  numri i seancave të cilat janë shtyrë pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022,  është rreth 150 seanca. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Gashi për Express.

Gjykatat po ofrojnë vetëm shërbime esenciale, bazuar në vendimin e sotëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që do të zbatohet deri më 8 dhjetor.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Lekë Muqaj, konfirmoi për Gazetën Express së në këtë gjykatë sot janë shtyer 22 seanca gjyqësore.

“Gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Gjakovë, janë shtyrë 14 seanca gjyqësore; në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec është shtyer 1 seancë gjyqësore; në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë janë shtyrë 7 seanca gjyqësore”, tha Muqaj për Gazetën Express.

Në listën e shërbimeve esenciale në gjykatat e vendit përfshihen këto pika:

1.    Të procedohen dhe mbahen seancat lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore;

2.    Trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme;

3.    Ekzekutimi i vendimeve penale;

4.    Çështjet e dhunës në familje (të gjitha fushat);

5.    Çështjet e sigurimit të kërkesë padisë (të gjitha fushat);

6.    Përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimi i kontaktit dhe alimentacioni si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi i fëmijës;

7.    Procedurat për dërgimin e personave në rehabilitim (të gjitha fushat);

8.    Të gjitha shërbimet administrative. /Gazeta Express

Go to TOP