Rrëfimi për një vrasje të paralajmëruar

Copëzat e dy jetëve tashmë të shuara, e njëkohësisht e një çifti të shkatërruar ish bashkëshortësh, Hamide Magashit dhe Sokol Halilit, po mblidhen një nga një.

Ky i fundit, i dyshuar për vrasjen e gruas rreth 35 vjeç, që priste të bëhej nëna e fëmijës së tij, ka nxjerrë në pah shumë mangësi në sistemin e funksionimit të hallkave të shtetit.

Kjo pasi ndaj Sokol Halilit, të dyshuar për vrasjen e Hamide Magashit, Gjykata Themelore e Ferizajt konfirmon se kishte dy aktvendime.

Në shtator të këtij viti, ai ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me gjobë.

Por paraprakisht, në muajin gusht të këtij viti, ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për kanosje ndaj 35-vjeçares, të cilën dyshohets e të mërkurën në mbrëmje, e vrau me armë zjarri në oborrin e QKUK-së, Qendër Klinike ku ajo kishte shkuar për të kryer lindjen.

Si ndodhi vrasja?

Orët kalojnë, por edhe më tej, Sokol Halili, i dyshuari për këtë vrasje nuk është arrestuar.

Bazuar në deklaratat e të afërmëve të viktimës, çifti kishte probleme martesore. Ata ishin ndarë vetëm katër muaj pas martesës.

Gruaja ishte shtatzënë dhe ndarja në këtë rast vetëm sa i ka ndezur edhe më shumë mospajtimet rreth kujdestarisë së fëmijës që do të vinte në këtë botë.

Në këtë rast, të dy e donin fëmijën për vete. Vrasja është kryer para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Ajo kishte shkuar tek kiosku afër, për të blerë disa gjëra dhe duke u kthyer, është ulur të pushojë në ulësen para Klinikës.

Në atë moment, dyshohet se ka shkuar ish bashkëshorti i cili e ka qëlluar me armë zjarri, raporton RTKlive.

Ajo ka mbetur e vdekur në vend kurse i dyshuari është arratisur. Policia deklaroi se rreth orës 18:00, ka pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjës si edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”, deklaroi Policia, duke shtuar se në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet.

E tani, një ditë pas këtij akti të rëndë, policia po qëndron tek shtëpia e familjes të së ndjerës, Hamide Magashi në fshatin Llugaxhi të Lipjanit.

Derisa raportohet se familjarët janë në gjendje shumë të rëndë emocionale, policia rikonfirmon se po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit të rastit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes.

 Familja Magashi në Llugaxhi të Lipjanit duke u bërë gati të hapë dyert e zisë për vajzën e tyre të vrarë.


Ligji i pafuqishëm

Dhunën ndaj viktimës, e konfirmon e motra, e cila ka thënë se ish dhëndri, vazhdimisht e ka kërcënuar me armë zjarri atë dhe të gjithë familjen.

E motra ka treguar për mediat se dy javë pas martesës, tashmë e ndjera, kishte treguar se bashkëshorti dhe familja e tij, po ushtrojnë dhunë fizike mbi të.

Ajo kishte kërkuar që ta kthejnë tek familje, por ish bashkëshorti, tashmë i dyshuar për vrasje, nuk e kishte lejuar,duke e kërcënuar vazhdimisht me armë.

Në këto rrethana, e ndjera Hamide Magashi nuk është se ka qëndruar indiferente ndaj presionit e dhunës që dyshohet se ishte ushtruar nga ish bashkëshorti.

Këtë e konfirmon edhe Gjykata Themelore e Ferizajt. Ndaj saj, ishte lëshuar urdhër mbrojtës. Ky urdhër ishte lëshuar nga 13 shtatori dhe vlente deri më 13 mars.

Megjithatë, kush dhe si do të zbatohej ky urdhër? Kjo pasi gjykata deklaron se Sokol Halili, i dyshuar për këtë vrasje, në shtator të këtij viti ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me gjobë.

Madje paraprakisht, në muajin gusht, ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për kanosje ndaj 35-vjeçares, raporton RTKlive.

Avokati Arianit Koci deklaron se shkelja e urdhrit për mbrotje është vepër penale. E dënimi? “Gjoba është prej 200 deri në 2000 mijë euro ose me burgim deri në gjashtë muaj”, thotë avokati Koci.

Ai thotë se kjo është anomali. “Dënimi duhet të ashpërsohet urgjentisht”, thotë avokati. Ai kërkon që Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje duhet të ndryshohet dhe plotësohet. “Rrethanat në shoqëri – vrasjet makabre të grave, e imponojnë këtë”.

Në fakt, dhuna dhe vrasjet e grave janë shndërruar në fenomen të frikshëm. Disa nga rastet e vrasje të grave kryesisht nga bashkëshortët ose ish bashkëshortët e tyre përgjatë viteve janë: Igballe Llalloshi (2008), Xhyla Gashi (2010), Diana Kastrati (2011), Antigona Morina (2011), Donjeta Pajazitaj (2015), Zejnepe Berisha (2015), Dafina Zhubi,(2016), Flora Omuri (2016), Feride Tahiri (2017), Sevdije Berisha (2017), Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj (2018), Hatije Dina (2019), Armenda Aliaj (2019), Sabile Mavrovqani (2020), Makfire Zuka (2020), Sebahate Morina Sopi (2021), Marigona Osmani (2021) Lirie Qerimaj (2022), Sanije Godanci (2022) e Hamide Magashi (2022).

Sigurisht se kjo listë nënash e motrash të vrara nuk është e plotë. Në të mungojnë edhe shumë të tjera që u shuan nga ata që do të duhej t’i donin e mbronin.

Go to TOP