Fjalimi dhe rezoluta e Edi Ramës, pa efekt në punën e Speciales
Fjalimi më shumë se 1-orësh dhe përplasjet e mëtejshme të kryeministrit të Shqipërsië, Edi Rama, me anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ishin kryetema e ditës së djeshme. Sidoqoftë, a mund të kenë ndikim në punën e Gjykatës Speciale akuzat dhe rezoluta e Ramës kundër raportit të Martyt?
Gjykata Speciale u krijua mbi bazën e raportit të Dick Martyt, të hartuar një dekadë më parë. Megjithatë, nga të gjithë të akuzuarit aktualisht, asnjëri nga ish-krerët e UÇK-së nuk akuzohet për trafikim organesh.
Për trafikim organesh, vepër për të cilën pretendonte ish-senatori zviceran, Dick Marty, nuk është pyetur asnjëri nga klientët që i ka pasur avokati Tahir Rrecaj në Gjykatën Speciale. Rrecaj, në një prononcim për gazetën Nacionale, ka treguar se rezoluta dhe fjalimi i Ramës nuk mund të kenë ndonjë efekt në punën e Dhomave të Specializuara.
“Unë nuk besoj që mund të jetë ndonjë ndikim në Gjykatë, pasi akuzat nuk kanë të bëjnë me trafikim të organeve. Ato janë më shumë dhoma politike sesa juridike”, ka thënë Rrecaj.
Rrecaj ka theksuar se fjalimin e Ramës nuk ka gjasë ta përdorë as Prokuroria e Hagës si përpjekje për ndërhyrje të mundshme.
“Absolutisht nuk është ndërhyrje. Është dokument i Këshillit të Evropës, mund të ndryshojë me rrethanat dhe rrethanat kanë treguar që nuk ka asgjë të vërtetë në atë raport”, tha Rrecaj më tutje.
Sipas avokatit të akredituar nga Gjykata Speciale, raporti i Dick Martyt ka dalë se është i pabazuar. Andaj, duhet të ketë një rezolutë shtesë nga Asambleja e Këshillit të Evropës për këtë temë.
“Për rezolutë në Asamblenë e Këshillit të Evropës, mund të ketë ndikim, pasi ka qenë dokument i votuar në Këshillin e Evropës dhe është bërë dokument i Këshillit të Evropës raporti i Dick Martyt. Kryeministri Rama ka ofruar të dhëna të cilat i kanë demantuar edhe hetimet që janë kryer qe 10 vjet, kanë treguar që raporti i Martyt ka qenë i pabazuar në asnjë provë, asnjë fakt. Dhe z.Thaçi nuk është i akuzuar për trafikim të organeve, po ashtu as të tjerët. Të gjithë klientët që i kam pasur, asnjë nuk është pyetur për trafikim të organeve”, theksoi Tahir Rrecaj.
Se nuk mund të ketë asnjë efekt në procedurat në Speciale, e thotë edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Rezoluta e inicuar nga Republika e Shqipërisë lidhur me raportin e Dick Martyt, në aspektin politik dhe diplomatik, mund të kontestohet besueshmëria e vetë raportit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, por në aspektin juridik nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Si rezultat i kësaj, Kosova ka marrë një obligim ndërkombëtar siç është formimi i Gjykatës Speciale dhe për këtë e ka amandamentuar Kushtetutën dhe ka miratuar ligj të veçantë dhe të gjitha këto nuk mund të zhbëhen apo shfuqizohen”, tha Miftaraj për Nacionalen.
Pas fjalimit, anëtarët e Asamblesë nuk shkuan as në darkë bashkë me kryeministrin e Shqipërsië, Edi Rama.
Çfarë deklaroi Edi Rama?
Me një fjalim të gjatë, shumë akuzues e kundër raportit të Dick Martyt, kryeministri i Shqipërsië, Edi Rama, për një orë të plotë e ka marrë vëmendjen e Evropës në Asamblenë Parlamentare. Ai e ka akuzuar këtë institucion se ka nisur me një lajm të rrejshëm dhe ka miratuar rezolutë që e cenon luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama kërkoi nga të gjithë anëtarët e Asamblesë që ta paramendojnë presidentin e Ukrainës pas 10 vitesh në situatën e njëjtë ku është Hashim Thaçi tash.
“Kjo e dëmton bashkësinë ndërkombëtare. Besimi është thyer. Kur bota kthehet përmbys, e viktima bëhet kriminel, gjithçka është e mundur. Viktima e parë e këtij shtrembërimi jeni ju, të gjithë ju. Është bashkësia ndërkombëtare. Një lajm i rremë u shndërrua në një raport, e pastaj në një rezolutë. Si rrjedhojë e vendimit të kësaj Asambleje, bota u kthye përmbys, viktimat e luftës u kthyen në kriminelë. Kërkimi për të vërtetën u kthye në një gënjeshtër. Një i ri luftëtar u shndërrua në një udhëheqës të një bande mafioze. Një udhëheqës i zgjedhur u kthye në një kriminel lufte”, tha Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ai foli për rastin e krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, duke shtuar se në Hagë nuk ka asnjë akuzë më për trafikim organesh.
“Imagjinoni që presidenti juaj merret nga zyra e tij dhe dërgohet në burg pa asnjë aktakuzë. Joe Biden e quante Thaçin George Washingtoni i Kosovës. Thaçi dha dorëheqje, u largua me dinjitet nga zyra dhe e vendosi veten në dispozicion të drejtësisë. Në mënyrë të përsëritur deklaroi se i besonte drejtësisë, sepse për drejtësinë e kishte rrezikuar jetën. Është ende atje, në Hagë, Joseph K. i gjallë, ende në burg. Krijuar nga një lajm i rrejshëm, që u përhap si murtaja dhe i ndikoi politikën e institucionet ndërkombëtare. Nuk jam këtu të vë në diskutim as Gjykatën Speciale e asgjë që lidhet me procesin gjyqësor. Jam këtu për të vënë në diskutim, burimin, vetë burimin e infektuar e të neveritshëm që e krijoi gjithë këtë valë”, theksoi kryeministri i Shqipërisë në Strasburg.
Ai foli për Burrelin, vendin ku është Shtëpia e Verdhë. I pyeti këta anëtarë nëse mund të kryhet trafikim organesh në një vend pa rrymë, pa ujë e pa rrugë.
“Raporti përqendrohet dhe dëgjojenii këtë: te një vend specifik mjekësor, Shtëpia e Verdhë, ku ishin përqendruar, sipas pretendimeve, operacionet. Kjo shtëpi, që nuk është aspak e verdhë. Nuk është klinikë. Është një ndërtesë guri e zhveshur e një familjeje të varfër shqiptare. Mund të shkoni e ta vizitoni. Është një prej të shumtave në këto zona që janë të njëjta. Vetë fshati, që ndodhet një zonë të largët në veri të Shqipërisë, që aso kohe ishte e izoluuar nga furnizimi me energji e ujë të pijshëm. Nuk është vendi ideal për heqjen e organeve. Fshatarët u pyetën e u përgjigjën që kurrë, asnjëherë, jo vetëm që nuk kishin parë, as dëgjuar për gjëra të tilla. Por edhe fantazitë që u paraqitën këtu përpara të gjithëve në Asamblenë Parlamentare, morën një përgjigje”, deklaroi më tutje Edi Rama.
Në fund, Rama bëri thirrje që të miratohet rezolutë shtesë, e cila tregon se raporti i Dick Martyt nuk është faktuar asnjëherë. Bëri thirrje që Këshilli i Evropës ta pranojë Kosovën.
