Rrahje mes disa personave në Drenas, arrestohen katër të dyshuar

Katër persona janë arrestuar në Drenas, pasi të njëjtit dyshohet se pas një mosmarrëveshje janë përfshirë në një rrahje mes vete.

Policia ka bërë të ditur se si pasojë e përleshjes lëndime trupore kanë marrë të gjithë të dyshuarit si dhe tjetër grua, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.

“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë përfshirë në një rrahje mes vete. Si pasojë e përleshjes lëndime trupore kanë marrë të gjithë të dyshuarit si dhe një dëshmitare kosovare, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e policisë.

Në këtë raport gjithashtu thuhet se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me karikator me gjashtë fishekë si dhe një shkop druri.

“Lidhur me rastin po ashtu janë kryer kontrolle në tri shtëpitë e te dyshuarve, ku në njërën është gjetur dhe konfiskuar një pushkë pa leje valide dhe tetëmbëdhjetë fishekë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet tutje në raport.

Go to TOP