Rexha: Sektori i metalit duhet ta ketë vëmendjen edhe të Qeverisë

Drejtori i Kllasteri i Industrisë së Metalit dhe Energjisë së Ripërtërishme të Kosovës (KIMERK), Astrit Rexha, ka thënë se janë shoqatë industriale apo sektoriale që merren me bizneset nga sektori i metalit dhe energjisë se ripërtërishme.

“Dallimi ynë nga shoqatat tjera është se ne kemi bashkëpunim më të theksuar me akademitë me studentë në kuadër të projekteve tona, por edhe me stafin akademik gjithashtu”.

Ai në Shtatë Ditë me Panxhën në Klan Kosova ka kërkuar nga Qeveria që të ketë më shumë vëmendjen ndaj sektorit të metalit, pasi sipas tij është premtues.

“Sektori i metalit është njëri nga më të mëdhenjtë në Kosovë nëse ju referohemi statistikave të eksportit merr pjesë me 42 përqind të eksportit total. Si sektor është shumë premtues, është duke u zhvilluar me të madhe. Ky sektor masivisht është duke dalë në eksport, kjo për shkak se kërkesa e tregjeve të jashtme për produktet e metalit është në rritje. Andaj edhe mundësitë e kompanive për eksport po rriten, mund të them se është njëri nga sektorë që duhet ta ketë vëmendjen edhe të Qeverisë, si sektor është shumë konkurrues”.

Rexha theksoi se KIMERK i mbështet kompanitë e sektorit të metalit edhe në proceset e certifikimit. Ai shtoi që këto kompani janë mjaft konkurruese, pasi sipas tij kanë filluar të adaptohen me standarde të kualitetit që thotë se nuk janë të lehta për shkak se janë standarde rigoroze të Bashkimit Evropian.

Go to TOP