Retorikë përçarëse e Donika Gërvallës për të fshehur dështimet në diplomaci

Shkruan: Emanuel DEMAJ

Është e papranueshme që një ministre, e cila për katër vite ka treguar vetëm dështime në diplomaci dhe nuk ka arritur të mbrojë interesat e Kosovës, të sulmojë dhe të fyejë çlirimtarët e këtij vendi. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të fshehur paaftësinë dhe mungesën e rezultateve në mandatin e saj.

Donika Gërvalla erdhi në këtë pozitë si “parashutë”, pa ndonjë meritë reale dhe pa ndonjë lidhje me realitetin e Kosovës, pasi për shumicën e jetës së saj as nuk ka jetuar në këtë vend. Në vend që të punonte për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, ajo ka rënë pre e retorikave përçarëse dhe fushatave kundër njerëzve që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

Sot, kur e gjithë bota e di kontributin e çlirimtarëve të Kosovës, përpjekja e saj për të sulmuar ata është turp dhe poshtërim. Asnjë fyerje apo sulm nuk mund të ndryshojë të vërtetën historike: çlirimtarët e Kosovës janë themeli i pavarësisë dhe lirisë që sot ajo e gëzon, edhe pse nuk e ka respektuar asnjëherë.

Ky vend nuk ka nevojë për ministra të dështuar që shajnë dhe përçajnë, por për liderë që ndërtojnë dhe bashkojnë. Populli i Kosovës e njeh të vërtetën dhe nuk do të lejojë që figura të dështuara të minojnë sakrificat e atyre që e sollën lirinë./ Kosova.info

Go to TOP