Resuli: Veterinerët, të nëpërkëmburit e shoqërisë shqiptare – kërkohet vlerësim dhe paga dinjitoze

Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar në Shqipëri, Ervin Resuli, ka ngritur një shqetësim të madh mbi trajtimin e papranueshëm të veterinerëve në vend. Resuli e përshkruan situatën aktuale si një “mjerim” të vërtetë, ku paga mesatare prej vetëm 75,000 lekësh të reja është një lëmoshë përballë kostove dhe përgjegjësive që përballojnë veterinerët.

“Një veteriner duhet të përballojë kosto të shumta, përfshirë kualifikimet, trajnime brenda dhe jashtë vendit, karburantin për të përmbushur detyrat ligjore, logjistikën, dhe jetesën familjare. Me një pagë kaq të ulët, është e pamundur të ruajmë profesionalizmin dhe standardet e kërkuara për sigurinë ushqimore,” deklaroi Resuli.

Ai vlerësoi shembullin e Malit të Zi, ku veterinerët gëzojnë një pagë minimale prej 1,100 eurosh, duke përmbushur kështu kërkesat e kapitujve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e kafshëve. Në Shqipëri, një trajtim i tillë mungon totalisht, ndonëse Kapitulli 12 i legjislacionit të BE-së, i cili lidhet me sigurinë ushqimore, është thelbësor për integrimin evropian të vendit.

“Nuk mund të sigurojmë zinxhirin ushqimor dhe të hapim eksportet e produkteve shtazore në BE pa garantuar kushte dinjitoze për veterinerët tanë,” shtoi Resuli.

Ai theksoi se roli i veterinerëve është jetik për shëndetin publik, sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e kafshëve, por ata mbeten profesionistët më të varfër në Ballkan. Për këtë arsye, Resuli kërkon ndërhyrje urgjente nga qeveria shqiptare për të siguruar paga dinjitoze dhe status të veçantë për veterinerët.

“Është koha që Shqipëria të ndjekë shembujt pozitivë të vendeve fqinje dhe të kuptojë rëndësinë strategjike të këtij profesioni. Veterinerët nuk janë vetëm profesionistë, por garantë të shëndetit të shoqërisë sonë,” përfundoi ai.

Kjo thirrje synon të ndalë diskriminimin ndaj një grupi profesional që është jetik për zhvillimin dhe sigurinë e Shqipërisë në procesin e saj të integrimit evropian. /Kosova.info/

Go to TOP