Regjistroi veturën me dokument të falsifikuar, i akuzuari s’praraiqtet në gjykatë

Është shtyrë seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin për legalizim të përmbajtjes së rreme, për shkak se ka munguar i akuzuari Zhivorad Stojkoviç.

Ai akuzohet se ka marrë targa të Republikës së Kosovës duke përdorë dokument të falsifikuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkëshortja e të akuzuarit, Xhemile Pira, e njoftoi gjykatën se i njëjti nuk mund të jetë prezent në seancë për shkaqe shëndetësore, për çka si provë e dorëzoi raportin mjekësor.

Në këto rrethana, gjyqtarja Edita Çanta konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, të cilën e shtyu në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, në këtë seancë e pranishme ishte prokurorja Hava Krasniqi.

Sipas aktakuzës së përpiluar në qershor të 2017-ës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Zhivorad Stojkoviç po akuzohet se më 30 janar 2012 ka vënë në lajthim personin e autorizuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Fushë Kosovë, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Stajkoviç personit të autorizuar të QRA ia prezanton dokumentin e falsifikuar – librezën e qarkullimit me prejardhje të Republikës së Serbisë dhe e regjistron automjetin e merr targa të Republikës së Kosovës.

Për këtë, Stojkoviç po akuzohet se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë” nga neni 403, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila vepër është e dënueshme me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet, sipas Kodit që ishte në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Go to TOP