“Refuzimi estetik” i Rugovës ndaj Qosjes, nuk foli as në kohë të lirë për të

Sa herë që mund të jetë menduar se Rexhep Qosja i ka thënë të gjitha për Ibrahim Rugovën, ai tregonte se ka edhe diçka për të shtuar. Por, për rivalitetin që thuhet se ka fillur në kohën kur Rugova e Qosja punonin në Institutin Albanologjik, doli edhe diçka e re. Skënder Hyseni zbuloi se në kohë të lirë është zënë llafi i Qosjes, por Rugova s’ka folur as aty për të.

Gazeta Express 

Rivaliteti i dy shkrimtarve, akademikut Rexhep Qosja dhe Ibrahim Rugovës, nuk ka mbetur veç përbrenda letërsisë. Ndër dekada, ky rivalitet është kthyer në luftë frontale të ideologjive dhe pozicioneve politike, duke u bërë një prej armiqësive më të mëdha në Kosovë. Ajo s’përfundoi as pas vdekjes së Rugovës. 

Akademiku Qosja është i gatshëm që në çdo rast të nxjerrë biografinë e Rugovës, të përshkruar me akuza të rënda ndaj tij.

Bashkëpunëtorë të Rugovës, ndërkaq, thonë se ish-Presidenti ka refuzuar të merret me Qosjen edhe në shoqëri të ngushta. 

Së fundmi, Skender Hyseni, ish-këshilltar i Rugovës, në një intervistë në Pressing tha se Presidenti nuk fliste keq për Qosjen, as në kafene. 

“E kam parë vetëm në një drejtim. Qosja duke folur në drejtim të Rugovës, e asnjëherë nga Rugova drejt Qosjes. Ua them me bindje, jo që s’është hapë kjo temë në ndonjë rast në kohë të lirë duke pirë ndonjë kafe…asnjë herë asnjë fjalë të vetme nuk e ka thëne Ibrahim Rugova për Rexhep Qosjen“

Akademik Qosja ka vazhduar të flasë për Rugovën, të shkruajë për të, edhe shumë vjet pas vdekjes së Rugovës. 

Qosjes nuk i është shkëputur zinxhiri i konfliktit me LDK-në, pas vdekjes së Rugovës. E ka vazhduar atë edhe me kryetarë të tjerë të LDK-së, veçanërisht me Isa Mustafën. 

Kurdo që Qosja i thurte shkrime udhëheqjes së LDK-së i kthehej historisë dhe Rugovës. Dhe, problemi i Qosjes me LDK-në niste me ekzistencën e saj. 

“Udhëheqja e LDK-së reagonte mosdurueshëm kur i thuhej me gojë a me shkrim se pas krijimit, në fund të vitit 1989, ajo e kishte regjistruar partinë e saj, e quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, ngjashëm me Lidhjen e Komunistëve të Kosovës, në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë në Beograd!”, thoshte Qosja në një shkrim të para pesë vjetëve, ku rëndiste me pika të gjitha rastet, në të cilat, sipas tij, udhëheqja e LDK-së “e dhunon  historinë e Kosovës, duke e falsifikuar historinë e saj”. 

Shkrimet e tij për LDK-në, Qosja i “pasuron” me ngjarje që thotë se kanë ndodhur, edhe pse s’janë bërë ndonjëherë publike. 

“Udhëheqja e LDK-së reagonte shumë vrazhdë, kur i thuhej me gojë a me shkrim se në mbledhjen e saj, në objektin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku e kishte selinë ajo, ditën e vrasjes së një pjesëtari të lavdishëm të UÇK-së është deklaruar: sot është vrarë një mafi vrasja e të cilit i ka gëzuar serbët dhe shqiptarët! Kjo informatë u është thënë disa personave prej një anëtari të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, që sot me disa anëtarë të familjes së vet e mjel PDK-në, e mandej është bërë publike prej Komisarit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Jirzhi Dintsbir”, shkruante Qosja për LDK-në. 

Akuzat e Qosjes për qasjen që, sipas tij, Rugova dhe LDK-ja e ka pasur ndaj Ushtrisë Çlirimtare, kanë qenë të vazhdueshme. 

“Udhëheqja e LDK-së reagon vrazhdë, fyeshëm, kur shkruhet se prej anëtarëve të Kryesisë së saj, madje prej kryetarit të saj, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është quajtur, kur dorë e zgjatur e Serbisë, kur grupe njerëzish të frustruar, kur organizatë terroriste, kurse, si shkruante gazeta Koha Ditore me 22.9.1998, Komisarit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së Jirzhi Dintsbir, i është thënë se UÇK” është turpi më i madh i popullit shqiptar”!”.

Qosja e sheh problematike figurën e Rugovës që prej rinisë së tij. Thotë se ai që i ri ishte anëtar i Lidhjes Komuniste; zëvendëssekretar dhe sekretar i organizatës themelore të Lidhjes Komuniste në Institutin Albanologjik dhe veprimtar i Komitetit komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës.

Në një intervistë të vitit 2013, Qosja thoshte se Rugova u bë kryetar i LDK-së, detyrë që, sipas tij, e kanë refuzuar të tjerë. Dhe, përmend vazhdimisht se LDK-ja u regjistrua në institucionet e shtetit serb. 

“…ai do të bëhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – detyrë që nuk e pranojnë disa të tjerë, i rekomanduar prej organeve partiake të Prishtinës; ai do ta regjistrojë LDK-në në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë; ai do të miratojë programin e LDK-së në të cilin Kosovës i caktohej një status më i varfër autonomie se në Kushtetutën e vitit 1974”.

Më tutje, e akuzon Rugovën për kundërshtim të demonstratave të studentëve shqiptarë dhe se ka kundërshtuar “armiqësisht UÇK-në duke e quajtur dorë e zgjatur e Serbisë, kurse anëtarët e saj duke i quajtur njerëz të frustruar”.

 Qosja, si njollë të karrierës politike të Rugovës e sheh zgjedhjen e tij kryetar i Kosovës, pa u kundërshtuar nga lideri famkeq serb, Slobodan Millosheviq. 

“…nën dhunën dhe terrorin e Serbisë; ai do të zgjidhet kryetar i Kosovës, i Kosovës së pushtuar prej Serbisë së Millosheviçit, natyrisht pa kundërshtimin e Millosheviçit dhe të trabantëve të tij politikë në Prishtinë”, thoshte Qosja. 

Akademiku nuk e ka lënë kurrsesi të i ikën pa e komentuar takimin e ish-kryetarit të Kosovës me Millosheviqin, të cilit Qosja thotë se i ka cuar dhurata.  

“Ai do të shkojë në Beograd, te Millosheviçi, gjatë bombardimeve, me ç’rast do t’i çojë dhurata të stolisura me kordele; ai në bisedë me Millosheviçin, me atë rast, në Beograd, do të pajtohet për formimin e qeverisë (kuislinge) në Kosovë”. 

Emrin e Rugovës me të Millosheviqit, Qosja e ka lidhur disa herë. 

Ai thotë se Rugova, me dëshirën e Millosheviçit dhe me aeroplan të Serbisë është çuar në Itali për t’u angazhuar për ndërprerjen e bombardimeve. 

“Ai [Rugova] do të deklarojë në atë kohë në një televizion zviceran se Millosheviçi e jo opozitarët e tij është e vetmja figurë politike serbe me të cilin mund të bisedohet për paqe”, thoshte Qosja në intervistët ku rëndiste të gjitha “mëkatet”, që sipas tij, i kishte bërë Rugova. 

Dhe si përfundim, Qosja e identifikon vetën si “të urryerin numër 1” të LDK-së. 

Në një rast, kur vdiq vepritmari Adem Demaci, një anëtar i LDK-së kishte shkruar “Përçarësi numër 2 i shqiptarëve ka ikur nga kjo botë! Pritet të ikë edhe Shpendkeqja që është përçarësi numër 1. Këta dy monstruma i bënë pikë e pesë shqiptarët”!. 

Qosja ishte marrë me të, duke e marrë si të ditur se ai ishte “numri 1” në këtë deklaratë. 

“Reagimet që kjo deklaratë makabre e zyrtarit të LDK-së shkaktoi në opinion, e detyruan udhëheqjen e LDK-së ta detyrojë deklaruesin që t’i kërkojë falje familjes së Adem Demaçit, por, natyrisht, jo edhe të urryerit numër 1 të kësaj specie që me gjuhë të shtazërishme të hienës politike dëshiron të mbrojë Kosovën me dhuratat që udhëheqja e tij ua çonte Millosheviqit e Millutinoviqit!”.

Go to TOP