Reali dhe Atletico Madridi e mbyllin sezonin me barazim

Real Madridi e ka mbyllur sezonin 2022/23 me barazim 1-1 në përballje me Athletic Bilbaon.

Pas vetëm dhjetë minutash lojë, mysafirët fituan penallti, mirëpo nga pika e bardhë dështoi Vesga.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa në të dytën u shënuan dy të tjerë.

Ishte minuta e 49-të e takimit, kur Sancet e kaloi Bilbaon në epërsi, duke i vënë madrilenët nën presion.

Por, vendasit fituan një penallti, të cilën në gol e konvertoi lojtari që do të largohet pas kësaj ndeshje nga Santiago Bernabeu, Karim Benzema (71’).

Vinicius Junior mendoi se në minutën e 79-të kishte shënuar gol, mirëpo gjyqtari anësor e ngriti flamurin për pozitë jashtë loje.

Në anën tjetër, edhe rivali i tyre lokal, Atletico Madridi ka barazuar 2-2 në udhëtim te Villarreali.

Pas vetëm nëntë minutash lojë, Villareali kaloi në epërsi me golin e Jackson.

Mirëpo, Los Cholchoneros u kundërpërgjigjën me anë të Angel Correas (18’), që u asistua prej Antoine Griezmann.

Në pjesën e dytë, Correa ishte sërish në listën e golashënuesve, pasi shënoi të dytin personal në minutën e 56-të, duke e përmbysur rezultatin në 2-1.

Por, mysafirët mbetën me dhjetë lojtarë në fushë, kur Axel Witsel u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 71-të.

Ky karton ndikoi në epërsinë e Atleticos, pasi vendasit barazuan shifrat në 2-2 me golin e Jorge Pascual (90+3′).

Në këtë sezon, Real Madridi ia doli të arkëtonte 78 pikë, një më shumë se Atletico Madridi. 

Standings provided by Sofascore
Go to TOP