Rasti “Panda”, ish i burgosuri Kollçaku rrëfen përjetimet mizore në burgjet serbe: Kam nisur t’i vuajë pasojat, as pas 23 vjetësh nuk kam mbështetje institucionale

Ishte nata e 14 dhjetorit e vitit 1998, ku në lokalin “Panda” të Pejës u vranë gjashtë të rinj serbë, shumica e të cilëve ishin nën moshën 18 vjeç. Më 1998, Serbia akuzoi gjashtë shqiptarë për këto vrasje, ndonëse në vitin 2010 autoritetet e Serbisë publikuan të dhëna se ky krim ishte inskenuar nga serbët. 

Ndër gjashtë të arrestuarit, ishte edhe Agron Kollçaku nga Peja, i cili në atë kohë ishte vetëm 26 vjeç.

Ai në një rrëfim tregon maltretimet dhe torturat që ushtria dhe policia serbe ia patën bërë gjatë arrestimit dhe mbajtjes së dënimit nëpër burgjet e Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë arrestimit, ushtarët serb e quajtën “terrorist”

Kollçaku tregon se ngjarjen e krimit në lokalin “Panda” e kishte dëgjuar nëpër televizionet serbe, mirëpo as që e kishte imagjinuar se ai do të fajësohej për diçka që nuk e ka bërë.

Më zërin e dridhur tregonte se si në orën 05:00 të mëngjesit në shtëpinë e tij e arrestuan dhe e quajtën “terrorist”.

“Unë atë ditë kam qenë si zakonisht në shtëpi, veç kur kam dëgju nga lajmet e shtetit serbë se ka ndodhur një vrasje, ku gjashtë të rinj serb janë vrarë. As që më ka shkuar mendja që ata vijnë e më marrin. Ata kanë ardhur më datë 16 dhjetor. Më datë 14 ka ndodhur vrasja, e më 15 dhjetor ka ndodh ceremonia e varrimit. Menjëherë më 16 dhjetor kam qenë i rrethuar me forca jashtëzakonisht të mëdha ushtarake policore serbe…Në orën 04:00 të mëngjesit kemi qenë të rrethuar, isha në gjumë…Veç pa u bo ora 05:00 kanë filluar bastisjet, mandej më morën dhe mua. Momentin e marrjes me radio lidhje thanë: ‘Ja e gjetëm terroristin, e nxanëm’, tha ai.

Paraburgimi në Pejë, fillimi i maltretimeve dhe torturave – Kollçaku nuk e dinte arsyen e arrestit

Kollçaku rrëfeu se maltretimet filluan në paraburgimin e Pejës, të cilat sipas tij ishin nga më të rëndat.

“Menjëherë më morën e më dërguan në paraburgim në Pejë. Maltretime të ndryshme nëpër zyrat e tyre në katin e tretë, aty ku ishin ata UDB-shat. Më ka marr në pyetje një inspektor nga Beogradi me tesha civile, aty më kanë mbajtur tri ditë dhe tri net. Më kanë marr në pyetje dhe më maltretuan fizikisht dhe psiqikisht në të gjitha mënyrat”.

I pyetur se a ishte në dijeni për arrestimin, ai tha: “Ish-kryetari, më i madhi i supit të Pejës, më ka marr në zyrën e vet dhe ma ka lëshu një video incizim dhe më tha: ‘Këqyre çka ke bo, i ke vra fëmijët’. Unë absolut nuk isha në ngjarje. Kisha dëgju përmes mediave që u bë ajo vrasje, por me thënë të drejtën se kam ditë as ku ekziston ajo kafiteri”.

Ai tregoi se e kanë obliguar me dhunë që të nënshkruaj disa dokumente, për të cilat nuk ishte në dijeni se çfarë shkruhej.

“Pas marrjes në pyetje tri dite e tri net, mi ka pru disa dokumente, i mbulonin me dorë të vet dhe thonin: ‘Nënshkruaj këtu’. Nuk kanë dhënë hapësirë as me lexu çka po nënshkruaj. Na detyruan me dhunë. Kemi nënshkru”, u shpreh Kollçaku.

Transferi nëpër burgjet e Serbisë – të burgosurit shqiptarë maltretohen edhe nga nxënësit e shkollës tetëvjeçare

Rrëfimin e tij e vazhdoi me transferin nëpër burgjet e Serbisë, si dhe maltretimet që i janë bërë edhe nga disa nxënës të një shkolle tetëvjeçare në Kurshumli të Serbisë.

Kollçaku tha se në burgun e Leskovcit në Serbi janë maltretuar gjatë gjithë kohës me metoda nga më të rëndat.

“Të nesërmen në mëngjes më kanë çuar në burg të Pejës. Edhe aty maltretime të njëpasnjëshme. Gjashtë muaj kemi qëndruar në burg të Pejës. Më 11 qershor të vitit 1999, forcat serbe veç janë tërheq dhe e kanë lëshu Kosovën dhe na kanë marr me vete. Na kanë çuar nëpër burgjet e Serbisë. Gjatë transferit ka pas jashtëzakonisht maltretime të mëdha. Na kanë ndal para një shkolle në Kurshumli të Serbisë, na i lëshun dhe nxënësit e shkollës tetëvjeçare me na maltretu…

Nga aty na kanë dërguar në burg të Leskovcit, kemi ndejt dy javë. Dhe aty ka pas maltretime. Aty kam ndejt nja dy javë pa hëngër pa pi, më kujtohet që kam rënë në peshë diku 40 kg, nuk i kam pas më shumë. Na qitshin me shëtit në oborr të burgut, 10 minuta kujt iu teke…mu m’ka ra rasti me ia hi një shtylle të betonit deri 100 herë. Çdo mënyrë kemi pas vuajtje, në të gjitha mënyrat, psiqike dhe fizike”, vazhdoi rrëfimin Kollçaku.

Ai vazhdoi rrëfimin e tij duke thënë se para dhe pas seancave gjyqësore maltretohej nga gardianët serb.

“Pas dy jave na kanë transferu në burg të Zajeqarit, atje kish qenë drejtori i burgut i mirë, na ka prit mirë kemi pas kontrolle te mjeku, na kanë ushqyer tri herë në ditë. Unë e kisha më së keqi, se gjykimin e kisha në Leskovc, më merrnin më çonin aty një natë më herët dhe kisha maltretime shumë të mëdha para se të hyja në gjyq. Edhe pas gjykimit kisha maltretime. Më lenin aty dy deri në tri net dhe vazhdoja prapë për Zajeqar. Kjo procedurë e gjyqit ka vazhduar tri-katër herë”, u shpreh ai.

Pasi mori dënim nga Gjykata e Serbisë prej një viti, ai tregoi momentin se si sërish u maltretua nga gardianët serb.

“Kur erdhi Kryqi i Kuq Ndërkombëtar na pyesnin a keni maltretime dhe unë i kam tregu të vërtetën krejt, ‘Kemi maltretime’. Si kanë dal nga dhomat Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, kishim sërish maltretime të njëpasnjëshme, gjoja pse fola, që e tregova një të vërtetë. Në fund, në muajin e 11-të më kanë gjykuar e më kanë dënuar me një vit burgim në mungesë të provave. Edhe aty kam pas maltretime, pas përfundimit të gjykimit. Disa gardianë më mbyllën në një qeli e më thonin: ‘Qysh i ke mbyt gjashtë fëmijë, e u dënove me një vit burg?’ ”.

Kollçaku tregoi një moment ku përmes Kryqit të Kuq, iu lejoheshin shkëmbimet e letrave me familjarët e tyre, për të cilët siç tha ai nuk e dinte se si ishin.

Ai tutje tha se i kishte ardhur një fotografi e gruas dhe e djalit 13 muajsh, dhe gardiani serb siç tregoi ai gjatë rrëfimit e kishte gënjyer duke i thënë se ia kishin vrarë.

“Pata lyp një foto të familjes time komplet, pasi ka qenë një kohë e gjatë që nuk kanë ditë ku jam, as tek jam. As unë për ta, e as ata për mu. Filluan disa shkëmbime me letra, me Kryqin e Kuq. Ma dërguan një foto të shoqes dhe djalit 13 muajsh. Erdhi gardiani trokiti në derë. ‘Kollçaku, ka diçka për ty’. E shoh foton dhe më pyeti ‘kush janë këta, çka i ki këta?’, i thash ‘bashkëshortja me djalë’, më tha ‘kaher na t’i kem mbyt këta’. Kjo ka qenë një moment shumë prekës. Ata janë në gjendje me i mbyt dhe fëmijët e vet veç për përfitime politike”, tha Kollçaku me lot në sy.

23 vjet pas…

Ish i burgosuri i rastit “Panda”, Kollçaku tha se nuk ka marrë asnjë mbështetje nga shteti i Kosovës, as morale e as financiare.

Ai po ashtu tregoi se sot gjendja shëndetësore e tij nuk është e mirë dhe se është duke i vuajtur pasojat pas maltretimeve që i përjetoi nëpër burgjet e Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket institucioneve tona s’kam asgjë ndihmë nga ta. Sot e asaj dite jetoj me qira. Kam trokit nja dy tri herë, nuk më kanë marrë parasysh. Nuk po muj me gjet derë ku me shku me trokit e mem bo qare. Tash kam nis me vujt, nuk jam mirë dhe jam tepër nervoz, po çka me bo”, u shpreh tutje ai.

Mirëpo, si është ndier Kollçaku, kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vite më parë kishte deklaruar se “nuk kanë dëshmi se vrasësit e të rinjve serb në rastin ‘Panda’ janë shqiptarët dhe se Serbia do të ballafaqohet me një të vërtetë të hidhur”, ai tha: “E kam ndi veten shumë mirë që më në fund don me dal e vërteta. Le t’i tregon popullit të vet se shqiptarët nuk mbysin fëmijë”.

I pyetur se si e vlerëson propozimin nga asamblisti i Kuvendit Komunal të Pejës, Berat Ganiqi që lokali “Panda” të kthehet në muze, Kollçaku u shpreh: “Është çështje e qëlluar. Veç nëse lejohet, e lejojnë institucionet. Ajo duhet të jetë muze, ka vuajt populli shumë për atë rast aty”.

Go to TOP