Rasti i sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë, Prokuroria: Jemi në fazën përfundimtare të veprimeve hetimore

Prokuroria Themelore në Pejë është në fazën përfundimtare të veprimeve hetimore ndaj rastit të sulmit fizik të gruas së moshuar nga një infermiere në prani të disa infermierëve të tjerë në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili tha se të pandehurat janë proceduar në prokurori dhe janë marrë në pyetje nga prokurori i shtetit.

Ai tha se prokuroria është në fazën përfundimtare të veprimeve hetimore në këtë çështje penale.

“Jo, mirëpo të pandehurat janë proceduar në prokurori, janë marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit. Jemi në fazën përfundimtare të veprimeve hetimore në këtë çështje penale”, ka thënë Nikçi.

Ndërkaq, avokati i familjes së të moshuarës e cila ishte sulmuar fizikisht nga infermieret në Pejë, Meshar Selimaj për Telegrafin tha se rasti është në fazën e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Avokati Selimaj po ashtu theksoi se ndaj të pandehurës Aurona Pelaj nuk ka ndonjë masë sigurie të lëshuar nga gjykata, andaj siç theksoi ai sipas informacioneve të pakonfirmuara e pandehura gjendet në Gjermani.

Ndryshe, sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 2 nëntor. Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë fillimisht u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Të pandehurat A.P, A.R dhe R.K, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.

Gjykata Supreme, më 25 nëntor i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Pejë.

Lidhur me këtë rast, ka pasur reagime të shumta, si dhe protesta, derisa shtëpisë së të moshuarve “Orenda”, ku ka ndodhur sulmi i është hequr licenca

Go to TOP