Rashkaj për trajnerin Giresse: Nëse s’arrin fitore sonte vështirë të vazhdohet
Kosova do të ndeshet sonte me Bjellorusinë në Hungari, në ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2024.
“Dardanët” kërkojnë fitoren e parë në këto kualifikime, teksa kanë dështuar ta arrijnë atë në tri ndeshjet e para.
Në lajmet qëndrore N’fokur në televizionin T7 në lidhje direkte ishte ish-kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj.
Ai tha se pret fitore sonte, ndërsa u shpreh se kjo ndeshje është e rëndësishme edhe për vazhdimësinë e trajnerit Alain Giresse.
“Pikësëpari pres fitore të domosdoshme. Jemi favoritë në këtë ndeshje, nuk ka diskutim aty. Është një ndeshje që duhet ta fitojmë gjithsesi nëse pretendojmë të jemi në garë. Kam pritur më shumë. E kam thënë edhe më herët që ky grup ka qenë shumë i volitshëm dhe ka qenë një rast i mirë sidomos për vendin e dytë. Na ka penalizuar sidomos ndeshja kundër Andorrës. I kemi humbur dy pikë shumë të rëndësishme aty. Mendoj që sonte është një ndeshje shumë e rëndësishme për ekipin, por edhe për trajnerin. Nëse nuk arrin sonte fitore mendoj se do të jetë vështirë të vazhdohet, por të shikojmë se si rrjedhin gjërat. Por sot dihet se jemi favorit dhe nuk duhet të bëhet hap prapa”, tha Rashkaj.
Kosova ndeshet pas pak me Bjellorusinë nga ora 20:45 në Budapest të Hungarisë.
