Raporti i IKD-së: Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve me shkelje të Kushtetutës dhe i vonuar

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), sot ka publikuar raportin: “Llogaridhënia” (Problemet kushtetuese dhe ligjore të projektligjit aktual”).

Analiza e IKD-së i referohet Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Projektligj ky që rrjedh nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve” deklaratë kjo e nënshkruar mes krerëve të Këshillave, Gjykatës Supreme, Kryeprokurorit të Shtetit dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Fillimisht, sipas hulumtueses së IKD-së, Shqiponjë Gashi, ky Projektligj është iniciativë e vonuar e Ministrisë së Drejtësisë. Ajo tha se nevojat për amendamentin e këtij Ligji ishin paraqitur qysh në vitin 2021, por të cilat nuk ishin adresuar nga MD, e cila e kishte ndryshuar këtë Ligj në vetëm një nen të tij, përkundër që IKD kishte paraqitur shumë komente lidhur me nevojën e ndryshimit të ligjit.

Ndërsa, hulumtuesi IKD-së, Gzim Shala, tha se dispozitat e projektligjit aktual janë të përfshira në shkelje kushtetuese. Ai tha se në Ligjin bazik shkelja e ligjit listohet si shkelje disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë [neni 5.1.1.2. dhe neni 6.1.1.2.].

“Projektligji e zëvendëson këtë shkelje me vërtetimin se gjyqtari, respektivisht prokurori ka pasuri të pajustifikueshme. Neni 2 i Projektligjit nënvizon se “Në nenin 5, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2. të ligjit bazik, ndryshohet si në vijim: “vërtetohet se ka pasuri të pajustifikuar me vendim të formës së prerë të gjykatës”, derisa neni 4 i këtij Projektligji nënvizon se “Në nenin 6, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2. të ligjit bazik, ndryshohet si në vijim: “1.2. vërtetohet se ka pasuri të pajustifikuar me vendim të formës së prerë të gjykatës”, theksoi Shala.

Gjithashtu, Shala tha se me Projektligjin aktual përzihen përgjegjësia disiplinore me atë penale. Ai tha se si shkelje disiplinore të gjyqtarit apo prokurorit, Projektligji [neni 3 dhe 5] e ka listuar edhe situatën kur gjyqtari apo prokurori “keqpërdor autoritetin për përfitime ose privilegje financiare apo personale”. Sipas tij, kjo dispozitë paraqet përzierje të dy përgjegjësive të ndara dhe të dallueshme ndërmjet vete, e që janë përgjegjësia disiplinore dhe ajo penale.

Hulumtuesi i IKD-së tha se keqpërdorimi i autoritetit për përfitime ose privilegje financiare apo personale, në Kodin Penal të Republikës së Kosovës është vepër penale.

“Nëse një gjyqtar apo një prokuror keqpërdor autoritetin për përfitime ose privilegje financiare apo personale, i njëjti ka kryer vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe këtu nuk vie në shprehje përgjegjësia disiplinore. Andaj, nëse vërtetohet kryerja e kësaj vepre penale, atëherë aktgjykimi i gjykatës që konstaton këtë është bazë e mjaftueshme për shkarkimin e gjyqtarit apo prokurorit, për shkak të kryerjes së veprës penale”, tha Shala.

Po ashtu, Shala tha se duhet bërë dallimi mes procedurës penale dhe asaj disiplinore, kjo pasi të njëjtat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

“Komisioni i Venecias thekson se këto dy lloj përgjegjësish dallojnë për nga standardi i provave, por se të njëjtat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe se fakti që nuk ka filluar një procedurë penale nuk do të thotë se nuk është kryer një shkelje disiplinore. Andaj, IKD i rekomandon Ministrisë që në Projektligj ta amendamentojë nenin 11 të Ligjit bazik, në atë mënyrë që të përcaktohet se procedura penale nuk ka efekt ndaj procedurës disiplinore dhe se të dy këto procedura mund të zhvillohen paralelisht”, tha Shala.

Tutje, hulumtuesi i IKD-së tha se problemet e Projektligjit konsistojnë edhe sa i përket paneleve hetimore në KGjK dhe KPK. Sipas tij, sistemi me një panel të përhershëm krijon një “institucion” për trajtimin e rasteve disiplinore dhe se kjo nënkupton edhe koncentrim të trajtimit të rasteve në këtë panel hetimor.

Ai tha se krijimi i një “institucioni” për trajtimin e rasteve disiplinore ka elemente të sistemit të kaluar disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kur funksiononte Zyra e Prokurorit Disiplinore. Sipas tij, dështimi i kësaj Zyre në adresimin e nevojës për llogaridhënie brenda sistemit të drejtësisë është pothuajse fakt notor. Panelet hetimore, ndonëse nuk janë të njejtë me këtë zyrë, nuk duhet ti përngjajnë atij sistemi.

Shala tha se IKD ka gjetur se në trajtimin e ankesave disiplinore, autoritetet kompetente, panelet hetimore dhe vetë Këshillat, kanë amnistuar shkelje të shumta disiplinore, qoftë të gjyqtarëve apo prokurorëve, duke u arsyetuar në faktin se pala ka të drejtë të aplikojë mjetet juridike ndaj vendimeve të caktuara.    Andaj, lidhur me këtë çështje Shala tha se IKD rekomandon që të rishikohet neni 12 i Projektligjit, ashtu që e drejta në ankesë ndaj vendimit të Këshillit t’i jepet edhe palëve në procedurë dhe parashtruesit të ankesës disiplinore.

Në anën tjetër, Shala tha se IKD vlerëson se Projektligji duhet ta heqë Institucionin e Avokatit të Popullit nga sistemi i llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas tij Avokati i Popullit ka refuzuar të ushtroj kompetencat që ka, derisa Projektligji e adreson çështjen e ankesën ndaj vendimit të autoritetit kompetent. Andaj, sipas tij në këtë situatë, roli i Institucionit të Avokatit të Popullit është irelevant në sistemin e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sa i përket nenit për kompensimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që marrin pjesë në Panele Hetimore, Shala tha se nuk është në harmoni me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe se të njëjtit i bie që ata të kompensohen dyfish.

“Në këtë situatë, anëtarët e panelit hetimor përfitojnë dyfish për punën e tyre. Të njëjtit derisa janë gjyqtarë, respektivisht prokurorë, marrin pagën e tyre të plotë. Por, për shkak të angazhimeve në Panel Hetimor, të njëjtit nuk e kryejnë punën sikurse të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë, për shkak se përfitojnë zvogëlim proporcional të normës së lëndëve”, tha Shala.

Sipas tij, kjo është në kundërshtim edhe me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, andaj tha se IKD rekomandon që neni në fjalë të riformulohet, në atë mënyrë që anëtarët e paneleve hetimore të përfitojnë vetëm zvogëlim të normës së lëndëve, dhe atë vetëm proporcionalisht sipas ngarkesës që kanë pasur me këto raste, e jo edhe kompensim për punën e tyre në panele.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën, me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), publikoi raportin , “Llogaridhënia” (Problemet kushtetuese dhe ligjore të Projektligjit aktual). /Kosova.info/

Go to TOP