Ranillugu në hall me sistemin paralel të Serbisë
Çdo presion politik ndaj qytetarit është jo vetëm padrejtësi, por edhe kërcënim. Kushtetuta e Kosovës, bashkë me konventat më të fuqishme ndërkombëtare, garantojnë që askush mos të shantazhohet, të frikësohet dhe të detyrohet të heqë dorë nga bindjet e tij politike.
Tre qytetarë të komunitetit serb këtu në Ranillug të Kamenicës kanë hyrë në grevë të urisë. Ata e arsyetojnë këtë për shkak të shantazheve dhe presioneve për shkak të bindjeve të tyre politike.
“Largimet na i organizuan njerëzit të cilët njëkohësisht punojnë në institucione të Kosovës dhe institucioneve serbe ne terren, të cilët pranojnë paga nga dy linja buxhetore dhe dy sisteme. Ajo që është edhe më tragjike për ne serbët që jetojmë në Kosovë, të njëjtit njerëz i kontrollojnë institucionet e Serbisë në Kosovë dhe në listat e pagave janë shumë njerëz të cilët nuk jetojnë në Kosovë dhe pranojnë paga nga ata”, tha grevisti.
“Kam ardhur t`i lus qytetarët grevistë që cilindo moment nëse iu rrezikohet shëndeti të kërkojnë mbështetje shëndetësore. Në cilindo moment kur fillon fushata elektorale për cilatdo zgjedhje nisin kampanja qëllimkeqe për ata të cilët që në cilëndo mënyrë tjetër dëshirojnë të përfaqësojnë bashkësinë, qytetin apo fshatin e tyre”, nënvizon Nenad Rashiq, raporton RTKlive.
“Këtu e keni rastin që të gjithë ata që ishin në anën tjetër të përfaqësimit të vetës së tyre të jenë brutalisht të penalizuar, të larguar nga puna pavarësisht nga cilat institucione. Duhet ta dinë ata që jetojnë në Kosovë se ekzistojnë ligje të caktuara që ata të cilët bie ndesh me ligjin duhet të jenë përgjegjës dhe kemi njerëz përgjegjës”, ka shtuar Rashiq.
“Nuk do të heqim dorë edhe pse këto ditë janë duke u dhënë largimet shumta gjithë atyre që ndryshe mendojnë nga krerët e listës serbe të cilët në këtë mënyrë po tentojnë të largojnë sa më shumë serb nga Anamorava. Këtë e kundërshtojmë dhe nuk do të heqim dorë nga kandidaturat dhe të drejtat tona”, ka shtuar grevisti.
Tutje Rashiq deklaroi se kanë njerëz që punojnë në sistem të Kosovës që kërcënojnë, nënçmojnë dhe shkelin të drejtat dhe liritë bazike të njeriut.
“Për këtë kam biseduar me përfaqësues të linjave ministrore që të parandalohen këto shkelje të të drejtave të njeriut meqë kemi persona të cilët janë në grevë urie vetëm për të treguar dhe kërkuar përmbushjen e qëllimit të tyre. Greva e urisë është thirrja më e fortë për drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Liria e shprehjes dhe e zgjedhjes nuk negociohet, nuk shantazhohet dhe nuk nënshtrohet, ndërsa Demokracia rritet mbi guximin dhe lirinë e jo mbi heshtje dhe frikë”, tha ai.
