Rangnick: Problemi i United mungesa e vizionit dhe e lidershipit afatgjatë
Trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, ka dhënë një vlerësim kritik për situatën e Manchester United, skuadër ku ai kishte qëndruar shkurt si trajner i përkohshëm mes viteve 2021 dhe 2022.
Tekniku gjerman ka komentuar ardhjen e Ruben Amorim si trajner i ri i “Djajve të Kuq”, duke theksuar se problemi real i klubit është mungesa e vizionit dhe lidershipit afatgjatë.
“Që kur u largova, ata kanë shpenzuar 700-800 milionë stërlina dhe skuadra renditet e pesëmbëdhjeta. Kanë ndërruar trajnerë shumë herë. Tani është Amorim, i cili është një trajner shumë i mirë, por nëse nuk funksionon, do të vijë një tjetër, me sistemin e tij të ri, me lojtarë të rinj… Kjo na kthen tek ajo që tha dikur Johan Cruyff, duhet të ketë dikush që e vendos planifikimin”, ka thënë Rangnick.
Ai gjithashtu ka kujtuar largimin e Sir Alex Fergusonit në vitin 2013 si një pikë kthese për klubin.
“Kur ishte aty, ai ishte truri i gjithçkaje dhe solli shumë njerëz të rëndësishëm në klub. Kur u largua, edhe ata u larguan. Që nga ajo kohë, klubi ka një problem me lidershipin: kush i merr vendimet dhe pse i marrin?”, është shprehur trajneri gjerman.
