Rama:Ballkani i Hapur është ide e duhur – “Jemi dhëndurë në tentativë të familjes europiane”

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i bindur se nisma “Ballkani i Hapur” është rruga e duhur për rritjen e ekonomisë të vendeve të rajonit.

Kreu i qeverisë, teksa mori pjesë në ceremoninë e organizuar për 30 vjetorin Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert”, tha se për realizimin e kësaj nisme nuk ka kohë për të humbur dhe se asnjë vend nuk duhet ta përdorë atë për politikë të brendshme.

“Jam i bindur dhe nuk e vë në dyshim që Ballkani i Hapur është ideja e duhur në kohën e duhur. Të gjithë do e përqafojnë hap pas hapi, Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të hapemi plotësisht me njëri tjetrin për të krijuar një shëmbëlltyrë e asaj që duam të jemi. Kështu fitojmë kohë nga e ardhmja., Ballkanin e Hapur do e bëjmë dhe nuk do kemi asnjë rrugë tjetër kur të hyjmë në BE. Duke e bërë sot dhe duke e bërë me bindje, ne jo vetëm që ndërtojmë një hapësirë funksionale të katër lirive të BE. Por i japim vetes mundësinë për të rritur ekonominë tonë. Asnjë vend nuk e ka luksin të merret me politikën në plan të parë për arsye politike të brendshme”, u shpreh ai.

Duke u ndalur te procesi i integrimit ai tha se pavarësisht pengesave që po vijnë nga vet BE, Shqipëria është e vendosur që të mos shfokusohet nga reformat.

“Ne duhet të vazhdojmë detyrimisht të bëjmë edhe më shumë se sa çkemi bërë, të bëjmë çdo ditë më shumë se ç’bëmë dje, pavarësisht vendimeve që merren në Bruksel, kushteve që shtohen në Bundestag. Pavarësisht se çfarë stërstër kushtesh shfaqen dhe deri në Bullgari. Këto nuk kanë lidhje me njëra tjetrën sepse kjo është zgjedhja dhe rruga jonë. Nuk e dimë si quhemi tani, dhëndurë në tentativë të familjes europiane. Këto momente që na japin statuse të ndryshme në proces, nuk varen nga ne, por çfarë vendoset nga familja europiane”.

Vendet kandidate tha Rama duhet të punojnë për të përmirësuar veten si dhe për të plotësuar kërkesat që do i hapin rrugën e sigurt drejtë bllokut europian.

Go to TOP