Rama uron William Walkerin për ditëlindje: Rrofsh sa malet, heroi ynë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar me fjalë të ngrohta ambasadorin William Walker me rastin e ditëlindjes së tij duke e cilësuar si një nga figurat më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës.
“Sot nderojmë një hero: njeriun që ndaloi gjenocidin me fjalët e tij. Njeriun që dha Kosovës shpresën kur bota heshti. Njeriun që na mësoi se e vërteta mund të ndryshojë fatin e një populli!”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar rolin historik të Walkerit në denoncimin e masakrës së Raçakut duke thënë se guximi i tij për të thënë të vërtetën i dha Kosovës një shans për drejtësi dhe liri.
Në fund të urimit, Rama i ka shprehur mirënjohje të thellë ambasadorit amerikan:
“Në këtë ditëlindje ndezim qirinj për ty: për trimërinë tënde në Raçak, për të ardhmen që na ndihmove të ndërtojmë, dhe për ditët e tua që vijnë – plot paqe, dashuri dhe respekt. Je pjesë e përhershme e këtij kombi. Rrofsh sa malet, heroi ynë!”.
Ambasadori William Walker është i njohur për raportimin dhe dokumentimin e Masakrës së Raçakut në janar të vitit 1999, një moment që ndryshoi përgjithmonë kursin e ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë. Ai mbetet një figurë e dashur dhe e respektuar në mesin e qytetarëve të Kosovës. /Kosova.info/
