Rama: TRAM-i elektrik financohet nga kapitali privat, s’ka kosto për buxhetin e Kryeqytetit

Kryetari i Përparim Rama ka reaguar lidhur me projektin e TRAM-it elektrik në Kryeqytet duke sqaruar se për realizimin e këtij projekti nuk do të ndahet asnjë cent nga buxheti i Komunës së Prishtinës.

Sipas Ramës, projekti po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat dhe do të financohet përmes angazhimit të kapitalit privat duke eliminuar kështu barrën financiare për qytetarët dhe institucionin komunal.

“Sa i përket TRAM-it elektrik, nuk ka nevojë të ndahet buxhet nga Kryeqyteti. Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me sektorin privat dhe do të financohet përmes angazhimit të kapitalit privat. Për ata që kanë dashur me dëgju, këtë e kam shpjeguar ditën kur janë nënshkruar marrëveshjet me operatorët privat”, ka theksuar Rama.

Projekti i TRAM-it elektrik konsiderohet si një ndër ndërhyrjet më ambicioze në infrastrukturën e transportit publik në Kryeqytet, me synimin për të reduktuar trafikun, ndotjen dhe për të rritur efikasitetin e lëvizjes në qytet. /Kosova.info/


Go to TOP