Rama: Situata nga reshjet nën kontroll, ekipet e Kryeqytetit në terren 24/7
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka bërë të ditur se pavarësisht reshjeve të vazhdueshme që kanë përfshirë mbarë Kosovën, situata në Kryeqytet po menaxhohet me sukses dhe mbetet nën kontroll.
Sipas Ramës, ekipet komunale janë vazhdimisht në terren dhe deri më tani kanë intervenuar në mbi 40 raste duke reaguar me shpejtësi për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Ai ka theksuar se Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca po e koordinon menaxhimin e situatës në bashkëpunim të ngushtë me drejtoritë komunale dhe shërbimet përkatëse, ndërsa monitorimi i gjendjes po vazhdon pa ndërprerje.
“Kryeqyteti po e menaxhon situatën dhe gjendja mbetet nën kontroll. Ekipet tona janë të angazhuara maksimalisht,” ka deklaruar Rama duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe duke u bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me kushte të paqëndrueshme atmosferike.
Autoritetet komunale kanë siguruar se do të vazhdojnë të jenë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë eventuale që mund të paraqitet si pasojë e reshjeve. /Kosova.info/
