Rama: Sheshi “Zahir Pajaziti” bëhet qendra e tifozëve për Botërorin 2026
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar organizimin e “Prishtina Football Fest”, një ngjarje që do të mbledhë mijëra tifozë të futbollit gjatë Kampionatit Botëror 2026.
Sipas njoftimit, nga 11 qershori deri më 19 korrik, Sheshi “Zahir Pajaziti” do të shndërrohet në pikëtakimin kryesor të dashamirëve të futbollit, ku të gjitha ndeshjet e Botërorit do të transmetohen drejtpërdrejt në ekran gjigant.
Përveç transmetimeve live, organizatorët kanë paraparë aktivitete të ndryshme argëtuese dhe hapësira të dedikuara për familje, miq dhe tifozë të sportit, duke krijuar një atmosferë festive në zemër të kryeqytetit.
Rama ka theksuar se hyrja do të jetë falas për të gjithë qytetarët, ndërsa përmes “Prishtina Football Fest” synohet të sillet në Prishtinë energjia dhe fryma bashkuese që sjell ngjarja më e madhe futbollistike në botë.
“Shihemi në shesh”, ka porositur ai, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e festës së futbollit gjatë Botërorit 2026. ⚽🔥 /Kosova.info/
