Rama: Sabotazha merr fund – OSHP i jep të drejtë Komunës së Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili i jep të drejtë Komunës së Prishtinës për të vazhduar me procedurat e përzgjedhjes së kompanisë që do të menaxhojë mbeturinat në kryeqytet.
Vendimi vjen pas një sërë pengesash të shkaktuara nga kompania rajonale “Pastrimi” SH.A., përfshirë greva, bllokime dhe ankesa të vazhdueshme që kishin bllokuar procesin. Kryetari Rama e ka cilësuar këtë si një fitore për interesin publik duke theksuar se kjo i hap rrugë një zgjidhjeje të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë.
“Pas një bllokade të padrejtë dhe tentativash të qëllimshme për sabotim, OSHP vendosi qartë: e drejta është në anën e Komunës së Prishtinës,” tha Rama duke shtuar se procesi është zhvilluar me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin.
Ai konfirmoi se Komuna do të vazhdojë me përkushtim për të garantuar një sistem modern, efikas dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të mbeturinave, me qytetarin në qendër të çdo vendimi.
Vendimi i OSHP-së i jep fund një kapitulli të tensionuar dhe hap rrugën për reformimin e një prej shërbimeve më jetike për kryeqytetin. /Kosova.info/
