Rama: Qyteti i Vjetër është restauruar, nënkalimi “Agim Ramadani” do ta lidhë me qendrën e Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Qyteti i Vjetër i Prishtinës është restauruar në tërësi duke ruajtur elementet autentike të trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike që e karakterizojnë këtë zonë historike.
Ai ka theksuar se projekti i nënkalimit “Agim Ramadani”, i cili aktualisht është i bllokuar nga Ministria e Kulturës, do të shndërrohet në një arterie të rëndësishme lidhëse me qendrën e qytetit duke lehtësuar qarkullimin dhe rritur lidhshmërinë urbane.
Sipas Ramës, pas realizimit të këtij projekti, zona e Qytetit të Vjetër do të integrohet funksionalisht me sheshin “Ibrahim Rugova”, përmes hapësirave publike të sigurta, të qasshme dhe të gjelbra duke i dhënë Prishtinës një pamje moderne që ruan në të njëjtën kohë identitetin historik të saj. /Kosova.info/
