Rama: Prishtina pjesë e dialogut global për teknologjinë në “Expand to US + AI Conference 2025”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përfaqësuar Kryeqytetin në konferencën ndërkombëtare “Expand to US + AI Conference 2025”, ku është diskutuar roli transformues i Inteligjencës Artificiale (AI) në qeverisje, planifikim dhe inovacion urban.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se Prishtina tashmë po përjeton një transformim të vërtetë digjital, ku përdorimi i AI-së po ndihmon në rritjen e transparencës, përmirësimin e shërbimeve publike dhe në arsimimin e brezit të ri për të ardhmen digjitale.
“Inteligjenca Artificiale nuk është më e ardhmja – ajo është tashmë pjesë e përditshmërisë sonë. Në Prishtinë, po e përdorim për të ndërtuar një qytet më të zgjuar, më efikas dhe më afër qytetarëve,” tha Rama gjatë konferencës.
Ngjarja, e cila bashkoi përfaqësues nga Google, City of Miami dhe inovatorë nga e gjithë bota, ofroi një platformë për ndarjen e përvojave dhe ideve mbi mënyrën se si qytetet po përshtaten me zhvillimet teknologjike globale.
Pjesëmarrja e Prishtinës në këtë konferencë nënvizon rolin e saj në dialogun ndërkombëtar për teknologjinë dhe zhvillimin urban duke e pozicionuar kryeqytetin si një qendër inovacioni dhe digjitalizimi në rajon. /Kosova.info/
