Rama: Prishtina nis revolucionin digjital-edukimi në Inteligjencë Artificiale futet në çdo shkollë fillore
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar fillimin e një etape të re në arsimin publik të kryeqytetit duke futur edukimin në Inteligjencë Artificiale në çdo shkollë fillore.
Në partneritet me Shkollën Digjitale, gjatë këtij viti çdo shkollë do të ketë një orë të dedikuar për mësimin e Inteligjencës Artificiale. Pas kësaj faze, nxënësit dhe mësimdhënësit do të përfshihen në trajnime praktike nën programin “Ndërto me AI”, ku do të kenë mundësinë ta kthejnë dijen në projekte konkrete.
“Ky hap e rendit Kosovën ndër vendet e para në botë që e futin IA-në në sistemin formal të shkollimit”, u shpreh Rama duke theksuar se Prishtina po e tejkalon kornizën e metodave të vjetëruara të arsimit dhe po hap rrugë të reja për gjeneratat e reja.
Ky projekt synon jo vetëm përgatitjen e fëmijëve për sfidat e së ardhmes, por edhe ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve në epokën digjitale. /Kosova.info/
