Rama: Pesë gra të UÇK-së nderohen për guximin dhe sakrificën për liri

Përparim Rama ka nderuar pesë gra të jashtëzakonshme nga rajoni i Prishtinës për guximin dhe sakrificën e tyre gjatë luftës për liri. Ramize Abdullahu Salihu, Emine Vitia Brahimi, Hyrie Veliu, Ibadete Canolli-Kaçiu dhe Zymrie Vitia janë emrat që mishërojnë shpirtin e pavarësisë dhe përkushtimin e palëkundur për atdheun.

Në këtë përvjetor, Rama theksoi se historia jonë është shkruar jo vetëm nga burrat, por edhe nga gratë që kanë dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës.

“Prania e tyre mes nesh është një kujtesë e gjallë e sakrificës dhe guximit që ka bërë lirinë e mundur. Gratë luftëtare të UÇK-së kanë luftuar me armë dhe me shpirt për të na dhënë këtë liri që gëzojmë sot,” tha Rama.

Si pjesë e këtij nderimi, u shfaqën intervista ekskluzive në Reporting House, ku këto gra ndanë rrëfimet e tyre të jashtëzakonshme dhe dëshmitë për përjetimet e luftës dhe përpjekjet për liri. Këto intervista shërbejnë si një burim frymëzimi dhe dëshmie për forcën dhe vendosmërinë e grave të UÇK-së. /Kosova.info/


Go to TOP