Rama paralajmëron masa të ashpra: Ndalohet parkimi në trotuare dhe hedhja e mbeturinave ndërtimore

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj shkeljeve të vazhdueshme në hapësirat publike duke theksuar se parkimi në trotuare dhe hedhja e mbeturinave ndërtimore nuk do të tolerohen më.

Ai ka bërë të ditur se këto veprime përbëjnë shkelje të hapur të rendit dhe ligjit, ndërsa ka kërkuar përgjegjësi të përbashkët nga qytetarët për ruajtjen e hapësirave publike. Sipas tij, secili duhet të respektojë rregullat dhe ambientin e përbashkët në kryeqytet.

Rama ka paralajmëruar se institucionet komunale do të jenë të vendosura në zbatimin e ligjit dhe çdo shkelës do të identifikohet dhe gjobitet pa përjashtim.

Ai ka rikujtuar se ekziston një lokacion i dedikuar për deponimin e mbeturinave inerte dhe vëllimore në rrugën “Qëndresa”, i cili është në dispozicion për qytetarët dhe bizneset. Për transportin e këtyre mbeturinave, qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjet publike përkatëse.

Po ashtu, qytetarët janë ftuar që të raportojnë çdo rast të hedhjes së paligjshme të mbeturinave tek Policia apo Inspekcioni Komunal, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i hapësirave publike dhe të ruhet rendi në kryeqytet. /Kosova.info/


Go to TOP