Rama organizon “Ndeshjen e Yjeve” në nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka njoftuar organizimin e një eventi të veçantë sportiv – “Ndeshja e Yjeve”, që do të mbahet më 11 qershor në stadiumin e Kryeqytetit duke filluar nga ora 20:00.

Ky aktivitet simbolik dhe argëtues do të sjellë përballë njëri-tjetrit emra të njohur të sportit dhe figurave publike të Kosovës, në një atmosferë festive që synon të bashkojë qytetarët për të festuar ditën historike të çlirimit të kryeqytetit.

Në mesin e pjesëmarrësve të konfirmuar janë edhe yjet e Kombëtares së Kosovës në futboll, Edon Zhegrova dhe Milot Rashica, të cilët janë falënderuar nga kryetari Rama për përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre për të qenë gjithmonë pranë qytetarëve të Prishtinës.

“Kjo është vetëm një nga aktivitetet që po organizohen në Prishtinë për Ditën e Çlirimit. Faleminderit Edonit dhe Milotit që gjithmonë janë të gatshëm të jenë këtu për Prishtinën dhe publikun tonë,” ka deklaruar Rama.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen festës në stadiumin e Kryeqytetit për të kremtuar bashkë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Prishtinës.

“Hajdeni nesër nga ora 20:00 në stadium – të festojmë bashkë Ditën e Çlirimit!” – është thirrja e Kryetarit Rama për qytetarët. /Kosova.info/

Go to TOP