Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në shfrytëzim 99-vjeçar
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka nënshkruar një vendim të rëndësishëm që garanton strehim afatgjatë për familjet e dëshmorëve të Republikës së Kosovës. Sipas këtij vendimi, banesat komunale të ndara më parë për këto familje do të jepen për shfrytëzim për një periudhë 99-vjeçare.
Ky vendim përfaqëson vazhdimin e një procesi të nisur vite më parë në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku banesat ishin ndarë me afate të kufizuara. Me këtë hap të ri, Kryeqyteti synon të sigurojë jo vetëm një kulm mbi kokë për këto familje, por edhe një ndjenjë të qëndrueshmërisë dhe sigurisë për të ardhmen.
“Ky nuk është akt favori. Është një vendim institucional që i qëndron drejtësisë dhe kujtesës sonë kolektive. Prishtina u detyrohet familjeve të dëshmorëve jo vetëm nderim moral, por edhe trajtim të dinjitetshëm e të qëndrueshëm,” deklaroi Kryetari Rama.
Në listën e përfituesve përfshihen edhe familjet e dy prej figurave më emblematike të luftës për liri, heronjtë Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, të cilët mbeten simbol i sakrificës dhe guximit.
“Mirënjohje e thellë për familjet që kanë dhënë më të shtrenjtën për lirinë që sot e jetojmë të gjithë,” përfundoi Rama duke ritheksuar angazhimin e tij për respektimin e vlerave të luftës dhe trajtimin dinjitoz të familjeve të dëshmorëve në Kryeqytet. /Kosova.info/
