Rama në Bruksel: Bullgaria po i mban peng dy vende të NATO-s

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në samitin e BE-së në Bruksel.

Gjatë fjalës së tij për gazetarët, Rama u shpreh se nuk pret që çështja në Bullgari të zgjidhet.

Rama tha se Bullgaria, një vend i NATO-së, ka marrë peng dy vende të tjera të aleancës, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Unë jua kam thënë dhe po e përsëris përkundër optimizmit të ngutur të disave dhe këtu në Bruksel nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari, por ndërkohë nëse do zgjidhet do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s, të dy vendeve të NATO-s, në kulmin e një lufte të nxehtë në kufijtë e Europës dhe në vështrimin e 26 vende të tjera atë romanin e famshëm të Archibald Cronin”, tha Rama.

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të takohen sot dhe nesër në Bruksel për të diskutuar për dhënien e statusit të vendit kandidat, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

Dita e dytë e samitit do të fokusohet në çështjet e eurozonës, ndërsa do të mbahet edhe një takim i nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, ku pritet të diskutohet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Unioni pritej që të hapte bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në fund të vitit 2020. Por, Bullgaria ka bllokuar hapjen e bisedimeve zyrtare për shkak të një mosmarrëveshjeje me Maqedoninë e Veriut që lidhet me historinë dhe gjuhën.

Go to TOP