Rama nderon Shaban Manajn: Ideali i tij jeton përmes brezit të ri
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar sot jetën dhe veprën e Shaban Manajt, një prej figurave të shquara të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe veprimtar i palodhur për çështjen kombëtare.
“Sot, nderuam jetën dhe veprën e Shaban Manajt, veprimtar i shquar i LDK-së, i cili dha shumë për Kosovën edhe kur koha nuk falte as jetën,” u shpreh Rama. Ai theksoi se vrasja e Manajt nuk ishte vetëm një humbje për familjen, por një plagë në ndërgjegjen kolektive të shoqërisë sonë që kërkon drejtësi, demokraci dhe dinjitet.
Kryetari Rama u shpreh se bashkë me Shkëmb Manajn, birin e të ndjerit dhe nënkryetar i Komunës së Prishtinës, janë përkulur përballë kujtimit të një njeriu që nuk e ndau kurrë idealin nga veprimi, e as fjalën nga qëndrimi.
“Prania e Shkëmbit në Komunë, në shërbim të qytetarëve, është dëshmi se ideali i babait nuk u vra, por jeton përmes brezit të ri që zgjedh t’i shërbejë qytetit dhe vendit me integritet,” shtoi Rama.
Në fund, kryetari i Prishtinës falënderoi familjen Manaj për qëndresën dhe edukatën që vazhdon të japë fryte në shoqërinë kosovare.
“Lavdi jetës dhe veprës së Shaban Manajt!”, përfundoi Përparim Rama. /Kosova.info/
