Rama: NATO ishte shpresa e vetme për shqiptarët e Kosovës më 24 mars 1999
Më 24 mars 1999, historia e Kosovës mori një kthesë të pakthyeshme. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kujtuar këtë ditë historike duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s, e cila shpëtoi popullin shqiptar nga represioni dhe gjenocidi serb.
“NATO, në këtë rast, nuk ishte thjesht një aleancë ushtarake, por një simbol i shpresës dhe i mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Për shqiptarët e Kosovës, NATO u bë shpresa e vetme në qiell, ndërsa ne luftonim për mbijetesë në tokë, të rrethuar nga forcat serbe që synonin shfarosjen e kombit dhe kulturës sonë,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike i dha Kosovës mundësinë të rindërtonte një të ardhme të re dhe të shpëtonte nga asimilimi.
“Historia na mëson se paqja dhe liria nuk janë dhuratë, por fitore që arrihen me sakrifica dhe solidaritet. Ne, si popull, jemi thellësisht mirënjohës ndaj të gjithë atyre që dhanë gjithçka për ne, që nuk hezituan të ndërhynin në një moment të tillë të errët, duke na dhënë mundësinë të ecim drejt një të ardhmeje të ndritur,” tha Rama.
Ai e cilësoi këtë përvjetor si një kujtesë e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe domosdoshmërisë së veprimit në kohët e krizës duke shprehur mirënjohje të përjetshme për të gjithë ata që bënë të mundur këtë ndryshim historik. /Kosova.info/
