Rama: Na ka ardhur në majë të hundës nga kjo botë me dyer që mbyllen me viza
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në fjalimin e tij në Asamblenë e Federatës Botërore të Peshëngritjes që u zhvillua sot në Tiranë, tha se i ka ardhur në maje të hundës nga kjo botë me kufij, me dyer që mbyllen, me viza me certifikata.
Rama me këtë rast e ka kujtuar zhgënjimin e përjetuar në Samitin e Brukselit.
“Peshëngritësit tonë janë vërtet frymëzim, ata kanë pasur mundësinë të tregonin që edhe nga një vend fare i vogël si Shqipëria, dalin talente me punë të madhe e duke punuar fort, sepse kjo bën diferencën. Ndihemi krenar që kemi mikpritur këtë sukses, kjo nuk do të kishte ndodhur pa presidentin e federatës shqiptare Elez Gjozën. Po të kishim patur probleme me vizat ai na tha se do të përballeshim me muskujt e atletëve. Në rast se dëshironi të keni një vend ku të mos përdorni fare viza, ky vend është Shqipëria” deklaroi kryeministri në formë shakaje, por më pas shtoi më seriozisht se “na ka ardhur në majë të hundës kjo botë me kufij, me dyer që mbyllen, me viza me certifikata. Këtu gjërat janë të thjeshta. Këtu miqtë janë Perëndia! Kjo bazohet te kushtetuta jonë e parë, të Kanunit, ku në paragrafin e parë thuhet se shtëpia e shqiptarit i përket zotit dhe mikut”- tha Rama.
Ndërkaq në fjalimin e tij presidenti i ri i Federatës Botërore të Peshëngritjes Jalood Mohammed Hasan, e ka falënderuar Shqipërinë për organizimin.
“Falënderojmë Shqipërinë, këto janë zgjedhjet më të mira të jetës time, në edicione të tjera shpesh herë na refuzohej viza dhe shumë vende nuk mund të votonin” – tha Mohammed Hasan.
Në këtë organizim morën pjesë 156 shtete.
Comments