Rama mirëpret Uta Ibrahimin: Ke pushtuar maja, por ke ngritur edhe zemrat tona

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot alpinisten e njohur Uta Ibrahimi, të parën shqiptare dhe ballkanase që ka ngjitur 14 majat mbi 8,000 metra në Himalaje – një arritje e jashtëzakonshme që e vendos atë në mesin e emrave më të njohur të alpinizmit botëror.

“Malet kanë qenë gjithmonë simbol i sfidës dhe qëndrueshmërisë. Uta i ka përballuar ato me guxim të jashtëzakonshëm-14 herë. Çdo majë që ajo ka ngjitur është dëshmi e vendosmërisë, pasionit dhe besimit se asnjë ëndërr nuk është shumë e lartë”, u shpreh Rama.

Por arritjet e Uta Ibrahimit nuk ndalen vetëm në dimensionin fizik të ngjitjeve ekstreme. Përmes fondacionit të saj Utalaya, ajo po frymëzon breza të rinj, po promovon barazinë gjinore dhe po dëshmon se suksesi më i madh është ai që i ndihmon edhe të tjerët të ngrihen.

“Uta, ti nuk ke pushtuar vetëm maja-ke ngritur edhe zemrat tona. Ti je dëshmi se frika sfidohet, kufijtë kapërcehen, dhe ëndrrat janë të arritshme. Kosova është krenare. Bota është krenare”, përfundoi Rama në një mesazh të mbushur me mirënjohje dhe frymëzim.

Uta Ibrahimi, përveçse është ikonë e guximit dhe qëndrueshmërisë, vazhdon të jetë një zë i fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm, edukimin dhe fuqizimin e vajzave dhe grave në shoqëri. Ajo përfaqëson më së miri shpirtin sfidues dhe progresiv të Kosovës moderne. /Kosova.info/


Go to TOP