Rama: Me shumë krenari e përmbyllëm ChopinPianoFest – Prishtina po dëshmon se është shtëpi e artit dhe mikpritjes
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mirënjohjen dhe krenarinë e tij për përmbylljen me sukses të një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të vitit në kryeqytet – Festivalit Ndërkombëtar Pianistik ChopinPianoFest.
Në një reagim publik, Rama tha se kjo javë u mbyll me emocione dhe përjetime të jashtëzakonshme falë interpretimit të artistëve nga e gjithë bota, të cilët sollën në Prishtinë mjeshtërinë dhe pasionin e tyre muzikor duke e kthyer qytetin në një qendër të artit pianistik botëror.
“Artistë nga e gjithë bota sollën talentin dhe pasionin e tyre në zemër të kryeqytetit duke krijuar përjetime të paharrueshme për publikun tonë,” shkroi Rama duke falënderuar njëkohësisht Shoqatën Chopin për organizimin dhe qytetarët për përkrahjen e treguar.
Ky festival është tashmë një simbol i fuqishëm i zhvillimit kulturor të Prishtinës, dhe për kryetarin Rama është një dëshmi e qartë se kryeqyteti po e konsolidon gjithnjë e më shumë rolin e vet si shtëpi e artit dhe mikpritjes kulturore.
“Prishtina po dëshmon çdo ditë se është shtëpi e artit dhe mikpritjes kulturore,” theksoi ai në fund të deklaratës së tij. /Kosova.info/
