Rama: Lavdi e përjetshme Zahirit, Edmondit dhe Hakifit – frymëzim për çdo brez

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar sot veprën heroike të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut duke theksuar se sakrifica e tyre është një udhërrëfyes i përjetshëm për brezat e ardhshëm.

“Në këtë ditë përkujtimore, ne nuk i kujtojmë vetëm si të rënë, por si të pavdekshëm, sepse vepra dhe ideali i tyre jetojnë në çdo brez që rritet me frymën e tyre,” tha Rama.

Në emër të Kryeqytetit, ai ndau mirënjohje për familjet e dëshmorëve, duke theksuar se me trimërinë e tyre, ata luftuan shtypjen dhe padrejtësinë, duke shkruar kapitujt më të lavdishëm të historisë kombëtare.

Bashkë me ekipin e tij, Rama bëri homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë dhe më pas në fshatrat Orllan dhe Lladoc, për të dëshmuar se kujtesa kolektive për heronjtë mbetet e gjallë dhe e përjetshme.

“Lavdi e përjetshme Zahirit, Edmondit dhe Hakifit! Lavdi dëshmorëve të kombit!”, përfundoi Rama në mesazhin e tij. /Kosova.info/


Go to TOP