Rama: Lamtumirë Papa Françesku – bota ishte më e mirë falë jetës suaj
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, të cilin e ka cilësuar si një zë të guximshëm të dhembshurisë, drejtësisë dhe paqes.
Në një mesazh prekës, Rama tha se ikja e Papa Françeskut pikërisht në ditën e Pashkëve – simbol i ringjalljes dhe shpresës së përjetshme – është një ndërrim jete i denjë për një njeri që jetoi me dashuri të pakufishme për mbarë njerëzimin.
“Papa Françesku ishte mbrojtës i të harruarve të botës – i varfërve dhe të pambrojturve. Ai na mësoi të duam pa kushte, të heqim paragjykimet, dhe të shohim Zotin në të margjinalizuarit”, shkroi Rama.
Kreu i Prishtinës vlerësoi thjeshtësinë dhe afërsinë njerëzore të Papa Françeskut duke theksuar se ai ishte një shembull frymëzimi për të gjithë, përtej besimeve fetare, si një humanist i përkushtuar në shërbim të të tjerëve.
Ai përkujtoi edhe thirrjet e vazhdueshme të Papa Françeskut për ndalimin e dhunës në Gaza dhe mbrojtjen e jetëve të fëmijëve duke theksuar mesazhin e tij të thellë: “Besimi pa dhembshuri është bosh, dhe heshtja përballë vuajtjes nuk është kurrë opsion”.
Për shqiptarët, Rama tha se Papa Françesku zë një vend të veçantë, sidomos pasi ai shenjtëroi Nënë Terezën duke ngritur trashëgiminë e saj në nivelin e vlerave universale.
“U prehtë në paqen e amshuar për të cilën punoi pa pushim në këtë botë. Lamtumirë, Papa Françesku, At i Shenjtë. Bota ishte më e mirë falë jetës suaj”, përfundon mesazhi i Ramës nga Prishtina. /Kosova.info/
