Rama: “Kur heshtja flet” sjell reflektim mbi drejtësinë dhe procesin pesëvjeçar në Hagë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet”, me autor Ahmet Shala, një vepër që trajton procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Ramës, libri paraqet një dëshmi të rëndësishme mbi zhvillimet pesëvjeçare të këtij procesi duke vënë në pah padrejtësitë dhe sfidat me të cilat janë përballur të akuzuarit, si dhe ndikimin e thellë që ky proces ka pasur në shoqërinë kosovare.
Ai theksoi se përmes kësaj vepre, autori sjell një reflektim mbi drejtësinë, kujtesën kolektive dhe domosdoshmërinë që e vërteta të mos mbetet në heshtje.
Rama shtoi se Kryeqyteti do të vazhdojë të mbështesë krijimtarinë letrare me rëndësi historike dhe kolektive duke inkurajuar botime që kontribuojnë në dokumentimin dhe reflektimin mbi periudhat kyçe të historisë së vendit. /Kosova.info/
