Rama kritikon ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”: U bazua në diçka që ligjërisht nuk ekziston

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj ndalimit të punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” duke akuzuar Ministrinë e Kulturës për veprim pa bazë ligjore. Në një deklaratë publike, Rama tha se punimet janë ndalur mbi një vendim të pakompletuar dhe të paregjistruar zyrtarisht.

“S’ka kufi të miratuar, s’ka koordinata, s’ka perimetër të shpallur në Geoportal, s’ka regjistrim në Kadastër, e as publikim në Gazetën Zyrtare,” deklaroi ai duke theksuar se ligjërisht Qendra Historike e Prishtinës nuk ekziston si aset i mbrojtur me status të përfunduar.

Ai përmendi edhe deklaratën e ish-ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila kishte konfirmuar se në vitin 2020 kishte dhënë pëlqimin për përfshirjen e Qendrës Historike në listën e trashëgimisë kulturore. Por, sipas Ramës, procedura ligjore nuk është përmbyllur nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë (QRTK), siç kërkon neni 4.6 i Ligjit Nr. 02/L-088 për Trashëgimi Kulturore.

Kryetari vazhdoi me pyetje publike ndaj MKRS:

▪️ Ku është vendimi që ka hyrë në fuqi?

▪️ Pse nuk është regjistruar në Kadastër?

▪️ Pse nuk janë publikuar hartat zyrtare?

▪️ Kush mban përgjegjësi që dërgoi inspektoratin dhe policinë për ndalimin e punimeve pa bazë ligjore?

Ai përmbylli reagimin duke theksuar se “punët në Kryeqytet nuk mund të ndalen me draft-raporte” dhe kërkoi transparencë dhe përmbushje të plotë të procedurave ligjore nga institucionet përgjegjëse. /Kosova.info/


Go to TOP