Rama i jep lamtumirën Martin Hajdarit: “Shihemi te Martini” – një ikonë që e bëri Prishtinën më shpirtërore

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Martin Hajdarit, një figure emblematike e jetës urbane të Kryeqytetit, përmes një mesazhi të ndjerë: “Shihemi te Martini – gjithmonë ka me u dëgju n’Kryeqytet.”

“Martini nuk ishte thjesht një emër – ai ishte një fenomen kulturor që ndikoi në identitetin modern të Prishtinës. Në hapësirat e “Kafeve të Rakisë”, ai krijoi më shumë se një vendtakim; aty lindi një atmosferë e re shoqërore, ku arti, biseda e lirë dhe ndjeshmëria qytetare u bënë pjesë e pandashme e përditshmërisë urbane”, shkroi Rama.

Përparim Rama e përshkroi atë si një njeri që i dha zë e formë një brezi të tërë që e deshi një Prishtinë të hapur, autentike dhe të gjallë. “Martini ishte njeriu që krijoi një subkulturë, që i dha shpirt një lagjeje dhe frymë një qyteti të tërë,” shkroi Rama.

Me largimin e tij nga kjo botë, Prishtina humbi një figurë të pazëvendësueshme – por që do të jetojë përherë në kujtesën kolektive të qytetit, në rrëfimet urbane dhe në çdo cep ku arti dhe shpirti qytetar takohen. /Kosova.info/


Go to TOP